Aeroporti i Istanbulit u zgodh "Aeroporti më i Mirë në Botë" në kuadër të "Çmimeve të Zgjedhjes së Lexuesve 2026" (Readers' Choice Awards 2026) të organizuar nga edicioni britanik i revistës "Conde Nast Traveller".
Sipas deklaratës së bërë nga IGA, operatori i Aeroportit të Istanbulit, në listën e përcaktuar nga vlerësimet e lexuesve të revistës së udhëtimit, Aeroporti i Istanbulit u rendit në vendin e parë me 94.29 pikë.
Aeroporti i Istanbulit, i cili ofron mundësi fluturimi në afërsisht 350 pika në mbarë botën, la pas Aeroportin Changi të Singaporit dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, duke u ngjitur në majën e listës.
Në renditje, Aeroporti Changi i Singapurit u rendit i dyti me 93.92 pikë ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait u rendit i treti me 93.18 pikë.
Aeroporti i Kopenhagës u rendit i katërti me 93.13 pikë, Aeroporti i Cyrihut i pesti me 91.79 pikë, kurse Aeroporti Ndërkombëtar Hamad në Katar u rendit i gjashti me 90.45 pikë.
Në listë, Aeroporti Madrid-Barajas u rendit i shtati me 90.23 pikë, Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut i teti me 89.50 pikë, Aeroporti Ndërkombëtar i Cape Town-it i nënti me 88.24 pikë dhe Aeroporti Fiumicino i Romës i dhjeti me 87.92 pikë.
Aeroporti i Stambollit është zgjedhur gjithashtu si aeroporti më i mirë në botë nga lexuesit e edicionit amerikan të "Conde Nast Traveller" në vitet 2024 dhe 2025.
I themeluar në vitin 1909 dhe duke përfshirë në gjirin e tij botime të tilla si "Vogue", "The New Yorker", "GQ", "Vanity Fair" dhe "Wired", "Conde Nast" arrin te miliona lexues në mbarë botën përmes botimeve të shtypura, platformave dixhitale dhe kanaleve të mediave sociale.


























