Gjermania të hënën “dënoi” sulmet e kolonëve të dhunshëm izraelitë ndaj diplomatëve evropianë dhe një fotoreporteri amerikan në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke bërë thirrje për hetimin e tyre.
“Besoj se, në parim, duhet të themi se sulmet ndaj diplomatëve – dhe kjo vlen edhe për një gazetar – natyrisht, duhet të dënohen. Këto janë raportime shqetësuese nga fundjava”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Kathrin Deschauer, gjatë një konference për media në Berlin.
“Ne u bashkohemi kërkesave (evropiane) që të zhvillohet një hetim”, shtoi ajo, duke shprehur “solidaritet” me diplomatët evropianë që u vunë në shënjestër të sulmeve.
Incidenti ndodhi gjatë fundjavës pranë vendbanimit Taybeh, në lindje të Ramallahut, ku një delegacion i BE-së po zhvillonte një vizitë gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve.
Në delegacion bënin pjesë konsujt e Francës dhe Belgjikës, një përfaqësues i Polonisë dhe zyrtarë të Kishës Katolike.
Kolonë izraelitë të maskuar u përballën me anëtarët e delegacionit, ndërsa u thye xhami i një automjeti konsullor belg.
Sulmet e kolonëve të dhunshëm izraelitë ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre janë shtuar gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve, i cili nisi në fillim të këtij muaji.























