Hamasi akuzoi të martën kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se po minon qëllimisht bisedimet për armëpushimin, ndërsa ripohoi përkushtimin ndaj marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe u bëri thirrje ShBA-së dhe ndërmjetësuesve t’i bëjnë presion Izraelit që ta respektojë atë.
Grupi palestinez e publikoi deklaratën pasi një sulm izraelit ndaj një kafeneje në portin e qytetit të Gazës vrau gjashtë palestinezë, përfshirë një fëmijë, dhe plagosi të tjerë.
Ai tha se “masakra e re” përbënte “një përshkallëzim të qëllimshëm” dhe e akuzoi Izraelin se synon të minojë përpjekjet për konsolidimin e armëpushimit dhe avancimin e zbatimit të marrëveshjes.
“Koha kur u krye krimi, pas bisedimeve të fundit në Kajro dhe në mes të përpjekjeve të vazhdueshme ndërmjetësuese, dëshmoi pa asnjë dyshim synimin e Netanyahut për të sabotuar negociatat”, shtoi grupi.
Ai gjithashtu akuzoi Netanyahun se po përpiqet të pengojë përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për avancimin e planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për Gazën dhe marrëveshjes së Sharm el-Sheikhut.
Hamasi tha se ai dhe fraksionet e tjera palestineze mbeten “serioze dhe të përgjegjshme” në përpjekjet për të garantuar suksesin e marrëveshjes, duke përmendur takimet e tyre të fundit me të dërguarin amerikan, Jared Kushner, dhe ndërmjetësuesit.
Grupi i bëri thirrje administratës amerikane, ndërmjetësuesve dhe garantuesve “t’i bëjnë presion qeverisë izraelite që ta respektojë marrëveshjen, të ndalojë krimet e saj dhe ta pengojë Netanyahun që të bllokojë marrëveshjen e Sharm el-Sheikhut”.
Më herët të martën, një sulm izraelit me dron ndaj një kafeneje të mbushur me njerëz në portin e peshkatarëve, në perëndim të qytetit të Gazës, vrau gjashtë palestinezë, përfshirë një fëmijë, dhe plagosi 14 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, një burimi mjekësor dhe dëshmitarëve.
Netanyahu ka kundërshtuar më parë një plan 15-pikësh për Gazën dhe ka këmbëngulur që Hamasi të çarmatoset fillimisht, pavarësisht një udhërrëfyesi të publikuar më 31 korrik nga Bordi i Paqes i udhëhequr nga ShBA-ja, i cili parashikon çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale dhe paralele të Izraelit nga Rripi i Gazës.
Netanyahu ka kërkuar çarmatimin e plotë të Hamasit përpara se Izraeli të fillojë tërheqjen e forcave të tij nga Gaza. Hamasi, ndërkohë, thotë se është i gatshëm të dorëzojë armët vetëm nëse ky hap shoqërohet me një tërheqje graduale dhe të organizuar të Izraelit nga territori.
Ndërmjetësuesit vazhdojnë përpjekjet për avancimin e zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor 2025. Shkeljet izraelite të marrëveshjes kanë shkaktuar vdekjen e 1.266 palestinezëve dhe plagosjen e 4.200 të tjerëve, sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Izraeli ka zhvilluar një gjenocid në Gaza që nga 8 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 73.000 palestinezë dhe duke plagosur mbi 174.000 të tjerë, shumica gra dhe fëmijë. Ofensiva ka shkaktuar gjithashtu shkatërrime të mëdha në të gjithë territorin.






















