Marrëdhëniet Türkiye-Somali u diskutuan në një aktivitet në Mogadishu, me rastin e 15-vjetorit të vizitës historike të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Somali më 19 gusht 2011. Ekspertët theksuan se marrëdhëniet janë zhvilluar nga asistenca humanitare drejt një bashkëpunimi strategjik.
Në aktivitet u zhvillua një panel me pjesëmarrjen e Ebuzer Demirci, studiues në Secure Futures Lab të Universitetit të Torontos, dhe Tunc Demirtas, studiues i politikës së jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA).
Demirci tha se vizita e Erdoğan në vitin 2011 erdhi në një kohë kur Somalia prej vitesh përballej me luftë civile, uri, terrorizëm dhe paqëndrueshmëri politike, duke e cilësuar vizitën si një pikë kthese të rëndësishme për vendin.
Ai tha se vizita ishte e rëndësishme jo vetëm për ofrimin e ndihmës humanitare, por edhe për rikthimin e Somalisë në agjendën e komunitetit ndërkombëtar.
Demirci theksoi se lidhjet mes Türkiyes dhe Somalisë datojnë prej shekujsh, duke iu referuar kontakteve të krijuara në rajonin e Detit të Kuq dhe Oqeanit Indian gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.
Pas pavarësisë së Somalisë në vitin 1960, Türkiye ishte ndër vendet e para që e njohu Somalinë, tha ai, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe u ndikuan më vonë nga ndryshimet në rrethanat ndërkombëtare dhe kriza e autoritetit shtetëror në vitet 1990.
Një epokë e re në marrëdhëniet Türkiye-Somali
Demirci tha se vizita e Erdoğan në vitin 2011 shënoi fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet dypalëshe, duke kujtuar se në atë kohë shumë vende i zhvillonin aktivitetet e tyre diplomatike dhe humanitare lidhur me Somalinë nga jashtë vendit.
Mbërritja e Erdoğan në Mogadishu së bashku me familjen e tij, ministrat, deputetët dhe një delegacion të madh i dërgoi komunitetit ndërkombëtar një mesazh të fuqishëm, tha ai.
Më pas, Türkiye rriti aktivitetet e saj diplomatike, humanitare dhe zhvillimore në Somali, duke përfshirë forcimin e pranisë diplomatike në Mogadishu, vendosjen e fluturimeve të Turkish Airlines, investimet në infrastrukturën portuale dhe aeroportuale, si dhe zgjerimin e programeve në shëndetësi dhe arsim.
Demirci tha se bashkëpunimi, i cili filloi kryesisht me ndihmën humanitare, që atëherë është shndërruar në një partneritet shumë më të gjerë. Sot të dy vendet bashkëpunojnë në fusha si hidrokarburet, ekonomia blu, hapësira, portet dhe bashkëpunimi strategjik.
Ai gjithashtu vuri në dukje përparimet e fundit të Somalisë, përfshirë heqjen e embargos së armëve, anëtarësimin në Komunitetin e Afrikës Lindore, zgjedhjen si anëtare jo të përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe anulimin e një pjese të konsiderueshme të borxhit të saj.
“Somalia mund të jetë një nga vendet kyçe të dekadës së ardhshme”
Demirtas tha se përvjetori ka rëndësi të veçantë edhe sepse Türkiye dhe Somalia po shënojnë 60 vjet marrëdhënie diplomatike.
Ai e përshkroi vizitën e Erdogan më 19 gusht 2011, kur ai ishte kryeministër, si një nga pikat më të rëndësishme të kthesës në procesin që ka ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të sigurt në Mogadishu.
Në vend që të përqendrohen vetëm te zhvillimet e së kaluarës, Türkiye dhe Somalia duhet të shqyrtojnë mënyrën se si mund të formësojnë marrëdhëniet e tyre në periudhën e ardhshme, në kushtet e një sistemi ndërkombëtar që po ndryshon me shpejtësi dhe të pasigurive në rritje globale, tha ai.
Demirtas tha se marrëdhëniet dypalëshe kanë marrë një hov në një gamë të gjerë fushash, nga siguria dhe ekonomia te arsimi dhe tregtia.
Duke theksuar pozicionin gjeopolitik të Somalisë, ai tha se vendi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm jo vetëm për Bririn e Afrikës, por edhe për Afrikën Lindore, kontinentin afrikan dhe sistemin global në tërësi.
“Somalia mund të bëhet një nga vendet kyçe që do të formësojnë rajonin dhe sistemin global gjatë 10 viteve të ardhshme”, tha Demirtas, duke iu referuar pozicionit të saj përgjatë rrugëve globale të tregtisë dhe rolit në rritje në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë.
Ai shtoi se transformimet e vazhdueshme në sistemin global po e rrisin më tej rëndësinë strategjike të Somalisë, duke theksuar nevojën për thellimin e marrëdhënieve Türkiye-Somali në fusha të ndryshme, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bazave të solidaritetit mes dy vendeve.






















