Türkiye synon të rrisë më tej kapacitetet e forcave të saj të armatosura, përfshirë Marinën, tha të enjten ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler.
Duke folur në ceremoninë e hapjes së "TEKNOFEST Atdheu Blu" në Komandën e Kantierit Detar Golcuk, në veriperëndim të Türkiyes, Guler tha se vendi po punon për të ndërtuar mbi trashëgiminë e tij të rrënjosur thellë detare.
“Sot, forcat tona heroike detare vazhdojnë të shërbejnë si një forcë efektive, parandaluese dhe e respektuar në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tona në Atdheun Blu, me personelin e tyre të kualifikuar, strukturën moderne të forcave, anijet, nëndetëset dhe sistemet pa pilot të prodhuara në vend, si dhe kapacitetet teknologjike në zhvillim të vazhdueshëm”, tha ai.
“Qëllimi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare është t’i çojë në nivele më të larta kapacitetet e ushtrisë sonë heroike, përfshirë forcat tona detare”, shtoi Guler.
Ai tha se Türkiye duhet të përshtatet me shpejtësi me teknologjitë në zhvillim dhe të ndërtojë mbi përparimin e arritur në industrinë e saj vendase të mbrojtjes, përmes përdorimit efikas të burimeve, përcaktimit të saktë të nevojave dhe mbështetjes së potencialit të të rinjve.
Guler theksoi rolin e TEKNOFEST-it në bashkimin e të rinjve me shkencën dhe teknologjinë, promovimin e një kulture të inovacionit dhe zhvillimin e burimeve njerëzore të nevojshme për Nismën Kombëtare Teknologjike të Türkiyes.
Ai bëri të ditur se këtë vit 1,6 milionë persona kanë aplikuar për të marrë pjesë në garat e TEKNOFEST-it.
Aktiviteti "Atdheu Blu" do t’u mundësojë të rinjve të vëzhgojnë nga afër disa prej platformave kryesore të Marinës Turke, nga anija e sulmit amfib TCG Anadolu deri te nëndetëset, tha ai.
Guler shtoi se çdo ide dhe projekt i prezantuar në garat me sisteme autonome nënujore, raketa nënujore dhe mjete autonome sipërfaqësore do të përbëjë një tjetër hap drejt teknologjive detare të së ardhmes.
“Një projekt që zhvilloni sot, një program kompjuterik që krijoni apo një ide inovative që paraqisni mund të shndërrohet në një prej kapaciteteve strategjike të së nesërmes”, u tha ai pjesëmarrësve.
Guler tha se ministria mbështet fuqishëm projektet e zhvilluara nga të rinjtë dhe synon të krijojë një ekosistem të aftë për t’i shndërruar idetë e tyre në teknologji që kontribuojnë për Türkiyen.
Aktiviteti, me Agjencinë Anadolu si partner global të komunikimit, organizohet bashkërisht nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes dhe Fondacioni Turk i Ekipit të Teknologjisë.






















