Në Shqipëri është prezantuar sot Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026–2030, me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe ekspertëve.
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja dhe drejtues të institucioneve të tjera të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas ministrisë, Strategjia Kombëtare e Kulturës është rezultat i një procesi të gjerë bashkëpunimi që ka përfshirë ekspertë, profesionistë të kulturës, artistë, institucione, organizata dhe komunitetet kulturore.
I udhëhequr nga Ministria e Turizmit, të Kulturës dhe të Sportit, sipas këtij institucioni, procesi ka synuar të ndërtojë një vizion të përbashkët për të ardhmen e kulturës shqiptare.
Strategjia përcakton vizionin, objektivat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e sektorit kulturor në periudhën 2026–2030, duke e vendosur kulturën në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Ministria ka bërë të ditur se ky dokument e konsideron kulturën si një forcë nxitëse për rritjen ekonomike, fuqizimin e kohezionit social, zhvillimin e industrive kreative dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.






















