Shqipëria merr stafetën e “Evropës së Pyjeve” për periudhën 2026-2030, duke marrë 45 vota unanime të vendeve anëtare.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi vendimin si një sukses të rëndësishëm diplomatik.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama tha se deri në vitin 2030 Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të organizatës, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve.
Ndërkaq, kryeministri kritikoi protestat e bëra së fundmi kundër projektit të Zvërnecit dhe pretendimet e artikuluara kundrejt qeverisjes së tij.
“Po si ka mundësi, që këtë vend të betonit, Paketës së Mafias së Maleve dhe të Konspiracionit Jahudit të zhdukjes së pyllit të Zvërnecit për ta kthyer në geto palestinezësh të spastruar etnikisht nga Gaza, ta mbështesin fuqimisht nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë zgjedhje kaq domethënëse, ndërsa vendimi të miratohet më në fund pa asnjë kundërshtim?!”, shkroi Rama.
“Evropa e Pyjeve” konsiderohet platforma kryesore pan-evropiane për politikëbërjen në fushën e pyjeve, duke bashkuar 45 shtete evropiane dhe Bashkimin Evropian për të përcaktuar prioritetet strategjike në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, biodiversitetin pyjor, klimën dhe ekonominë e gjelbër.






















