| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Izraeli nis sulme të reja në Liban, pavarësisht armëpushimit
Ushtria izraelite kreu bombardime dhe granatime artilerie në jug të Libanit sot në mes të shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit në fuqi.
Izraeli nis sulme të reja në Liban, pavarësisht armëpushimit
Izraeli nis sulme të reja në Liban, pavarësisht armëpushimit

Izraeli kreu të hënën bombardime dhe granatime artilerie në jug të Libanit, mes të shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit në fuqi. 

Forcat izraelite hapën zjarr me mitraloza në drejtim të zonës së Wadi al-Salouqit, në prefekturën jugore Nabatieh të Libanit, si dhe bombarduan qytetin Mansouri me artileri gjatë natës, njoftoi agjencia kombëtare libaneze e lajmeve (NNA).

“Kfar Tebniti u bombardua gjithashtu”, raportoi agjencia, duke shtuar se edhe periferitë e qytetit Nabatieh al-Fawqa u granatuan me ndërprerje nga artileria izraelite.

Aktualisht nuk ka të dhëna për viktima apo dëme materiale. Këto sulme vijnë disa ditë pas përfundimit të raundit të shtatë të negociatave libanezo-izraelite të ndërmjetësuara të enjten e kaluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kryeqytetin Romë të Italisë. Diskutimet u fokusuan në çështjet që lidhen me zbatimin e marrëveshjes kuadër të nënshkruar më 26 qershor.

Të premten, Presidenti libanez, Joseph Aoun, deklaroi gjatë një takimi të kabinetit se vendi i tij kishte bërë “përparim pozitiv” në negociatat e Romës lidhur me dosjet e kufirit dhe shkëmbimit të të burgosurve.

Marrëveshja kornizë përcakton një tërheqje graduale të Izraelit nga territori i pushtuar libanez, duke filluar me një fazë pilot në zona të caktuara, në këmbim të vendosjes së ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të grupeve të armatosura, një referencë kjo për Hizbullahun.

Pavarësisht negociatave në vazhdim, Tel-Avivi po e vijon ofensivën e tij në Liban. Sipas zyrtarëve libanezë, ofensiva ka vrarë 4.335 njerëz, ka plagosur 12.277 të tjerë dhe ka zhvendosur mbi një milion që nga 2 marsi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë