Kryetari i Parlamentit turk, Numan Kurtulmus, të enjten bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë energjetike, transportit dhe mbrojtjes, duke theksuar pozitën strategjike të Türkiyes që lidh Evropën me Azinë.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, në kryeqytetin turk, Ankara, Kurtulmus tha se Türkiye mbetet partner strategjik i Nismës së Tri Deteve, një platformë që përfshin 13 shtete anëtare të BE-së, përfshirë Kroacinë, si dhe disa vende partnere jashtë BE-së, të cilat lidhin Detin Baltik, Adriatik dhe Detin e Zi.
Kurtulmus tha se bashkëpunimi me Kroacinë dhe vendet e tjera të rajonit mund të forcojë lidhjet Lindje-Perëndim, veçanërisht përmes Korridorit të Mesëm, si dhe të kontribuojë në sigurinë e furnizimit me energji.
Ai gjithashtu e theksoi mundësitë për bashkëpunim dypalësh në fushën e mbrojtjes, energjisë, kulturës dhe turizmit.
Sa i përket luftës Rusi-Ukrainë, ai e përsëriti mbështetjen e Türkiyes për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke bërë thirrje për rifillimin e shpejtë të negociatave me synimin për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të pranueshme për të dyja palët.
Ai gjithashtu e theksoi rëndësinë e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.





















