Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, duke vlerësuar "marrëdhëniet e shkëlqyera" ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.
Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit, Konjufca ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës që nga njohja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke veçuar edhe rolin e diasporës kosovare në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Ai ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për programin zviceran të bashkëpunimit për periudhën 2026–2029, si dhe për zgjerimin e partneritetit në ekonomi, tregti, investime, arsim dhe inovacion.
“Zvicra ka qenë qysh prej fillimit një partnere e palëkundur e Kosovës. Që nga njohja e pavarësisë sonë më 17 shkurt të vitit 2008, Zvicra i ka qëndruar pranë Kosovës, duke e mbështetur zhvillimin tonë, angazhimin ndërkombëtar dhe përpjekjet për ndërtimin e një shteti demokratik, të qëndrueshëm dhe prosperues. Ne e çmojmë thellësisht këtë miqësi dhe besimin që e karakterizon partneritetin tonë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka vlerësuar gjithashtu se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s krijon mundësi të reja për bizneset dhe bashkëpunimin ekonomik.
Nga ana e tij, Cassis ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera, duke përmendur lidhjet e forta njerëzore përmes diasporës kosovare, e cila, sipas tij, numëron rreth 500 mijë persona në Zvicër.
Ai ka bërë të ditur se programi zviceran i bashkëpunimit për periudhën 2026–2029 ka një buxhet prej afro 20 milionë frangash në vit dhe synon të mbështesë reformat në Kosovë dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“Sot jam për herë të parë në Prishtinë si anëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse prej vitesh kemi pasur takime të vazhdueshme, por sot më në fund u bë e mundur dhe më vjen shumë mirë që jam në Prishtinë. Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, siç mund të thuhet, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta edhe për shkak se kemi qenë shumë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar dhe për të jetuar me familjet e tyre, të cilët ne i njohim si diasporë kosovare”, ka deklaruar Cassis.
Cassis ka theksuar se nga viti 2029 bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve pritet të hyjë në një fazë të re, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, investimet, tregtinë dhe krijimin e vendeve të punës.
Ai ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në prill të vitit të ardhshëm në Zurich.























