Ministria e Mbrojtjes e Türkiyes të enjten ka mirëpritur memorandumin e mirëkuptimit të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që ta ruajnë marrëveshjen dhe të vazhdojnë negociatat teknike në mënyrë të përgjegjshme.
Duke folur në konferencën javore për media të ministrisë, zëdhënësi Zeki Aktürk tha se Izraeli mbetet pengesa kryesore për përpjekjet e pajtimit, duke mbajtur një qëndrim agresiv në Libanin jugor pavarësisht marrëveshjes.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbajë qëndrim më të fortë ndaj politikave izraelite dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar përpjekjet për të minuar procesin diplomatik.
“Türkiye do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, tha Aktürk.
Sipas shifrave palestineze, lufta e Izraelit në Gaza që nga tetori 2023 ka lënë mbi 73.000 të vrarë dhe më shumë se 173.000 të plagosur, shumica gra dhe fëmijë.
Ministria gjithashtu rikonfirmoi qëndrimin e Ankarasë për Qipron, duke thënë se çdo nismë që injoron të drejtat e turqve qipriotë ose synon të ndryshojë balancën aktuale në ishull është e papranueshme.
“Siguria e Republikës Turke të Qipros Veriore është siguria e Türkiyes”, thuhet në deklaratë, duke ritheksuar mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete, bazuar në barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar të turqve qipriotë.
Qiproja mbetet e ndarë prej dekadash mes komunitetit grek dhe atij turk, pavarësisht përpjekjeve të OKB-së për zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Përplasjet etnike që nga vitet 1960 detyruan turqit qipriotë të tërhiqeshin në enklava për siguri.
Në vitin 1974, një grusht shteti i mbështetur nga Greqia me synim aneksimin e ishullit çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiyes si fuqi garantuese, për të mbrojtur turqit qipriotë. Si rezultat u themelua Republika Turke e Qipros Veriore në vitin 1983.
Procesi i paqes ka pasur periudha të ndryshme, përfshirë një iniciativë të dështuar në vitin 2017 në Zvicër nën kujdesin e OKB-së dhe vendeve garantuese.
Administrata greko-qipriote iu bashkua BE-së në vitin 2004, në të njëjtin vit kur bllokoi planin e OKB-së për zgjidhjen e konfliktit.
Sistemi gjerman Patriot
Ministria njoftoi gjithashtu se një sistem gjerman i mbrojtjes ajrore Patriot është vendosur në Kürecik, në provincën lindore Malatya, sipas Planit të Përhershëm të Mbrojtjes së NATO-s, për ta forcuar mbrojtjen ajrore të aleancës.
Sistemi gjerman ka marrë detyrën nga një bateri amerikane Patriot e vendosur në të njëjtin rajon më 24 qershor.
Po ashtu, ministria tha se ushtrimi “International Anatolian Eagle 2026”, i planifikuar fillimisht për 22 qershor–3 korrik, është rishikuar në dritën e zhvillimeve gjeopolitike dhe Samitit të NATO-s që do të mbahet në Turqi më 7–8 korrik.
Ushtrimi tani po zhvillohet si “Trilateral Eagle Exercise” me pjesëmarrjen e Türkiyes, Azerbajxhanit dhe Egjiptit. Azerbajxhani merr pjesë me dy avionë SU-25, ndërsa Egjipti ka dislokuar pesë avionë luftarakë F-16.
Aktürk gjithashtu tha se Komanda e Forcës Amfibe të NATO-s, e udhëhequr nga Türkiye që nga korriku 2025, do t’i kalojë Holandës më 30 qershor.





















