Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se Serbia është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për personat ende të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë, për shkak se mban të mbyllura arkivat ushtarake, policore dhe shtetërore.
Haxhiu në përmbylljen e projektit "Na Mungojnë", i cili përmes dokumentarëve dhe debateve publike ka sjellë në vëmendje rrëfimet e familjeve të personave të pagjetur dhe kërkesën e tyre të pandërprerë për të ditur, tha se për familjet e personave të pagjetur, kërkesa e vetme është ta dinë ku janë më të dashurit e tyre.
Ajo tha se në arkivat e Serbisë mund të gjenden të dhëna për urdhra, varrime, zhvarrime dhe vendndodhje që familjet i presin prej më shumë se një çerek shekulli.
"Varrezat masive të zbuluara në territorin e Serbisë e kanë bërë të qartë se fshehja e gjurmëve ka qenë e qëllimshme. Hapja e arkivave nuk mund të mbetet çështje e vullnetit të Beogradit. Partnerët ndërkombëtarë duhet ta trajtojnë këtë si detyrim të qartë të Serbisë ndaj familjeve, ndaj drejtësisë dhe ndaj së vërtetës. Rreth 1.600 persona ende janë në listat e të pagjeturve, dhe shpeshherë përmenden si numra dhe si statistika", tha Haxhiu.
Sipas U.D. presidentes Haxhiu, kërkesa për të ditur nuk mund të mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, ajo, sipas saj kërkon punë të përditshme institucionale: hetim, dokumentim, punë mjekoligjore, bashkëpunim me familjet dhe ndjekje të çdo informacioni që mund të çojë te e vërteta.
"Dua të falënderoj Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar, Prokurorinë Speciale, Policinë dhe partnerët ndërkombëtarë për punën në gjetjen e personave të zhdukur me dhunë dhe në adresimin e krimeve të luftës. Vitet e fundit ka pasur përparim, falë rritjes së kapaciteteve dhe ndryshimeve ligjore që kanë mundësuar gjykimin në mungesë si përgjigje ndaj mosbashkëpunimit të Serbisë. Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara ta mbështesin këtë punë, sepse drejtësia për krimet e luftës mbetet detyrim i pashmangshëm", tha Haxhiu.
Ajo shtoi se në këtë drejtim, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm duke e vendosur këtë çështje edhe në kuadër ligjor e institucional, duke përmendur këtu se në korrik 2023, Kosova iu bashkua Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP, ndërsa në gusht 2023 u themelua Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës.


















