| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Shtatë të vdekur në një varkë me emigrantë që udhëtonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjë
Ekipet e shpëtimit gjetën dy trupa të pajetë në varkën me afro 140 persona, ndërsa të mbijetuarit thanë se pesë të tjerë kishin humbur jetën gjatë udhëtimit.
Shtatë të vdekur në një varkë me emigrantë që udhëtonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjë
Shtatë të vdekur në një varkë me emigrantë që udhëtonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjës

Të paktën shtatë persona humbën jetën në një varkë me emigrantë që po udhëtonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjës, raportoi të hënën agjencia spanjolle e lajmeve EFE, duke cituar shërbimin e shpëtimit detar të vendit.

Ekipet e shpëtimit arritën te varka mëngjesin e së hënës, rreth 150 kilometra në verilindje të Arrecifes, kryeqytetit të ishullit Lanzarote. Në bord ndodheshin afro 140 persona.

Dy trupa të pajetë u gjetën në varkë, ndërsa të mbijetuarit deklaruan se trupat e pesë personave të tjerë, që kishin humbur jetën gjatë udhëtimit, ishin hedhur në Oqeanin Atlantik.

Ndërkohë, tri varka të tjera me gjithsej 132 persona mbërritën në Arrecife mëngjesin e së hënës, raportoi transmetuesi Cadena SER, duke cituar qendrën e koordinimit të emergjencave të Ishujve Kanarie.

Reshje të dendura shiu përfshinë të hënën disa pjesë të arkipelagut, ndërsa qeveria rajonale shpalli nivelin më të lartë të alarmit për reshjet në pjesën lindore të La Palmës, një prej Ishujve Kanarie perëndimorë.

Sipas Cadena SER, që citon autoritetet rajonale, numri i mbërritjeve të emigrantëve përmes detit në Ishujt Kanarie u rrit me 285 për qind në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Megjithatë, gjatë periudhës 1 janar–15 tetor, mbërritjet shënuan një rënie prej 33,5 për qind krahasuar me vitin 2025.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, gjatë kësaj periudhe në Ishujt Kanarie mbërritën përmes detit 8.970 persona, kundrejt 13.491 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë