Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se vendi i tij në ditët në vijim do të nënshkruajë kontrata të rëndësishme për furnizim me armatim dhe pajisje ushtarake, me qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse.
“Në ditët në vijim do të nënshkruajmë kontrata të mëdha dhe shumë të rëndësishme për furnizim të mëtejshëm me mjete të armatimit dhe pajisje ushtarake ndërsa na presin edhe vizita të rëndësishme gjatë të cilave do të bien dakord kontrata shtesë me vende të tjera”, tha Vuçiq pas një takimi me drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Serbisë.
Ai theksoi se tashmë janë bërë porosi të mëdha për ushtrinë dhe se gjendja e rezervave materiale dhe niveli i plotësimit, si me personel ashtu edhe me pajisje, është dukshëm më i mirë se në fillim të vitit.
Sipas tij, është planifikuar ngritja e kapaciteteve të Ushtrisë së Serbisë në një nivel më të lartë, përfshirë zhvillimin e mbrojtjes ajrore shumë-shtresore dhe përmirësimin e sistemeve të mbikëqyrjes.
“Do të kemi kapacitete të tilla që asgjë nuk do të mund të kalojë pa u vërejtur, nga aviacioni strategjik në rajon deri te aktivitetet e tjera në distanca të mëdha”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se do të rriten sasitë e armatimit dhe pajisjeve si dhe fuqia dhe rrezja e veprimit të sistemeve ushtarake. Presidenti serb theksoi se zhvillimi i ushtrisë do të vazhdojë në këtë drejtim.
Fokus i veçantë këtë vit, sipas tij, do të jetë rritja e prodhimit të dronëve si dhe robotizimi dhe digjitalizimi i ushtrisë. “Pres rritje të ndjeshme të prodhimit të dronëve, por edhe përparim të fortë në robotizimin dhe digjitalizimin e ushtrisë sonë, gjë që do të përmirësojë më tej kapacitetet e saj", tha Vuçiq.























