Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të enjten se fushata e saposhpallur nga presidenti amerikan Donald Trump, e quajtur “Dita D ekonomike”, kundër Teheranit do t’i sjellë Uashingtonit “disfatë të mëtejshme” dhe do të thellojë armiqësinë e iranianëve ndaj ShBA-së.
“E ashtuquajtura ‘Dita D ekonomike’ është një diversion nga kriza e vetë Amerikës: borxhi i paprecedentë dhe rritja e kostove të interesit”, shkroi Araghchi në platformën sociale X.
“Dyfishimi i politikave të dështuara vetëm do të sjellë humbje të mëtejshme dhe armiqësi të iranianëve”, tha ai, duke shtuar e “terrorizmi ekonomik” i ShBA-së kërcënon ekonominë globale dhe sovranitetin në mbarë botën.
Deklarata e tij erdhi pasi Trumpi njoftoi të mërkurën atë që e cilësoi si “operacionin ekonomik më shkatërrues të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi”, duke e përshkruar fushatën si “luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë”.
Trumpi tha se Uashingtoni do të synojë ndërprerjen e kanaleve financiare dhe tregtare që mbështesin Teheranin dhe paralajmëroi se vendet që lejojnë institucionet e tyre financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare t’i ofrojnë Iranit një “linjë shpëtimi” ekonomike do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.
Duke e quajtur fushatën “Dita D ekonomike”, Trump u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të ShBA-së që t’i bashkohen Uashingtonit në izolimin e Iranit.




















