| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Aksion në Ujman, ndërmarrja "Ibër-Lepenci" kërkon lirimin e pronës së uzurpuar
Elshani ka bërë të ditur se policia gjatë këtij procesi po e asiston ndërmarrjen "Ibër-Lepenci", si dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Aksion në Ujman, ndërmarrja "Ibër-Lepenci" kërkon lirimin e pronës së uzurpuar
Aksion në Ujman, ndërmarrja "Ibër-Lepenci" kërkon lirimin e pronës së uzurpuar

Punonjësit e ndërmarrjes publike "Ibër-Lepenci", të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar sot në mëngjes një aksion në zonën e Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës, ku është rrethuar me shirit sigurie moteli "Jezero", transmeton Anadolu.

Për mediat në Kosovë, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se Policia është duke asistuar në këtë aksion, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Elshani ka bërë të ditur se policia gjatë këtij procesi po e asiston ndërmarrjen "Ibër-Lepenci", si dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Aksioni është duke u ndërmarrë pasi ka skaduar afati i vendosur nga ndërmarrja "Ibër-Lepenci" për shfrytëzuesit e objektit që ta lirojnë pronën, për të cilën ndërmarrja pretendon se është uzurpuar.

Në zonën e Ujmanit janë parë të angazhuar punonjës të "Ibër-Lepencit" dhe zyrtarë policorë, ndërsa objekti është rrethuar me shirit sigurie. Ndërmarrja publike "Ibër-Lepenci" kishte njoftuar më herët për kërkesën për lirimin e pronës, duke pretenduar se bëhet fjalë për shfrytëzim të paautorizuar të saj.

Më 21 korrik 2026 me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike "Ibër-Lepenc" në zonat përreth Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës u zhvillua një aksion për rrënimin e 11 shtëpive të ndërtuara në pronat e ndërmarrjes së Ibër-Lepencit.

Kryeshefi ekzekutiv i Ibër Lepencit, Faruk Mujka bëri me dije se 11 personave që kishin ndërtuar shtëpi në pronën e Ibër Lepencit u ishte kërkuar qysh më 3 korrik të heqin të gjitha gjërat që kanë në këto objekte dhe t’i lirojnë ato deri më 17 korrik, por ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe me këtë rast u lajmërua inspektorati për të kryer punën.

Një ditë më vonë për këto veprime reagoi edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e cila konsideroi se rrënimi i objekteve ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike "Ibër-Lepenc" për lirimin dhe pastrimin e tokës.

BE-ja ka shprehur shqetësim për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë