| Albanian
LUFTA NË GAZA
3 minuta leximi
Raportimi: Izraeli po përgatitet për një ofensivë të mundshme në Gaza, ndërsa vazhdojnë bisedimet
Sipas medias izraelite, ushtria izraelite pretendon se lëvizja palestineze Hamas ka rindërtuar kapacitetet e saj ushtarake dhe këtë e përdor si argument për rifillimin e luftës në Gaza.
Raportimi: Izraeli po përgatitet për një ofensivë të mundshme në Gaza, ndërsa vazhdojnë bisedimet
Raportimi: Izraeli po përgatitet për një ofensivë të mundshme në Gaza, ndërsa vazhdojnë bisedimet / Foto: AA

Ushtria izraelite po përgatitet për një rikthim të mundshëm të luftimeve në shkallë të gjerë në Gaza, ndërsa në Kajro vazhdojnë bisedimet për armëpushim, raportoi të mërkurën gazeta Haaretz.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka miratuar disa plane operative të paraqitura javët e fundit nga Komanda Jugore e ushtrisë, në kuadër të diskutimeve për rifillimin e operacioneve tokësore në Rripin e Gazës, thanë burime ushtarake të njohura me çështjen.

Megjithatë, burime politike izraelite thanë se qeveria ende nuk ka miratuar planet për zgjerimin e luftimeve, pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për t’u përgatitur për një ofensivë të re.

Sipas Haaretz, ushtria izraelite pretendon se lëvizja palestineze Hamas ka rindërtuar kapacitetet e saj ushtarake dhe këtë e përdor si argument për rifillimin e luftës në Gaza.

Ndërkohë, fraksionet palestineze po zhvillojnë bisedime në Kairo, nën ndërmjetësimin egjiptian, me synimin për të arritur marrëveshje mbi qeverisjen e ardhshme të Gazës dhe çështjen e çarmatimit të Hamasit.

Burime të afërta me negociatorët paralajmëruan se shumë detaje mbeten ende të pazgjidhura dhe se disa raportime të publikuara ditët e fundit nuk pasqyrojnë marrëveshjet përfundimtare mes palëve.

Kryetari i Iniciativës Kombëtare Palestineze, Mustafa Barghouti, i cili po merr pjesë në bisedime, tha për Haaretz se fraksionet palestineze po kërkojnë një kornizë graduale për zgjidhjen e çështjeve.

Sipas tij, Izraeli po përpiqet të krijojë kushte që do t’i shtynin banorët e Gazës drejt migrimit të detyruar.

Duke iu referuar deklaratave të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, Barghouti tha se politika aktuale izraelite po përkeqëson kushtet tashmë të rënda të jetesës në Gaza për të nxitur largimin e popullsisë.

Ai shtoi se ndërmjetësuesit e kuptojnë se, përveç presidentit amerikan Donald Trump, pothuajse asnjë aktor tjetër nuk ka ndikim të mjaftueshëm për të ushtruar presion efektiv ndaj Netanyahut.

“Armët nuk janë problemi i parë që duhet zgjidhur. Nëse zbatohet faza e parë e mirëkuptimit, atëherë mund të kalohet në fazën tjetër dhe të trajtohen edhe çështjet e tjera”, tha Barghouti.

Sipas të dhënave palestineze, ofensiva izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka shkaktuar vdekjen e afro 73.000 palestinezëve dhe plagosjen e më shumë se 173.000 të tjerëve, shumica gra dhe fëmijë.

Burimet palestineze pohojnë se, ndonëse Hamasi respektoi kërkesat e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli nuk i përmbushi detyrimet e tij dhe vazhdoi shkeljet e marrëveshjes, ndërsa bisedimet për kalimin në fazën e dytë mbetën të bllokuara.

Po ashtu, Izraeli akuzohet se ka penguar hyrjen në Gaza të sasive të dakorduara të ushqimeve, barnave, materialeve mjekësore, strehimit dhe shtëpive të parafabrikuara, në një kohë kur rreth 2,4 milionë palestinezë, përfshirë 1,5 milionë të zhvendosur, jetojnë në kushte katastrofike.

Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ushtria izraelite ka vrarë të paktën 978 palestinezë dhe ka plagosur 3.097 të tjerë në sulme pothuajse të përditshme.