Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.
Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se që nga koha e dorëheqjes së serbëve nga institucionet u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet dhe të mos japin dorëheqje.
Megjithëkëtë, Kurti tha se nuk u ka thënë dhe as nuk ka të drejtë t’u thotë atyre të kthehen përsëri në institucione, ngase siç tha ai, atëherë “kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’u themi kthehuni”.
“Largimi i tyre ka qenë akt politik individual ndonëse i organizuar. Por, kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë”, theksoi Kurti.
Më tej, Kurti tha se në këtë linjë, gjithnjë sipas kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial, i cili i miratoi dorëheqjet e tyre dhe më pas i dërgoi në presidencë për dekretim.
Ndërkaq, ditëve në vijim pritet që ato t’i trajtojë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, meqë sot dështoi mbledhja e këtij këshilli për shkak të mungesës së kuorumit.
Po ashtu, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media tha se ish-gjyqtarët dhe prokurorët e komunitet serb të dorëhequr nuk mund të rikthehen në punë sepse nuk ua lejon ligji, ndërsa ka theksuar se përgjatë mandateve të tyre ata kanë marrë direktiva nga Serbia.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet partnere të cilët kërkuan rikthimin në institucione të serbëve, por Haxhiu në përgjigjen e saj tha se asnjë shtet demokratik nuk do ta pranonte një situatë ku gjyqtarë e prokurorë të “dirigjohen” nga një shtet tjetër.
Zyrtarë serbë ishin dorëhequr në vitin 2022, pas shkarkimit të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili pati refuzuar ta zbatonte vendimin e qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe.
Për t’iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në vitin 2022 në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët, ndërsa në Këshillin Prokurorial të Kosovës 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.























