Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se NATO-ja dështoi të mbështeste Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë luftës së saj me Iranin.
“NATO-ja nuk ishte aty kur na duhej dhe nuk do të jetë aty nëse na duhet sërish”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Presidenti gjithashtu iu referua përpjekjeve të tij të mëparshme për të marrë Greenlandin, duke shkruar: “Mbani mend Grenlandën, atë copë të madhe akulli, keq e menaxhuar.”
Komentet e Trumpit erdhën pas takimit të tij me dyer të mbyllura me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë.
Më herët, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se Trump beson se NATO-ja u “vu në provë dhe dështoi” gjatë luftës me Iranin.”
“Është mjaft e trishtueshme që NATO-ja i ktheu shpinën popullit amerikan gjatë gjashtë javëve të fundit, kur janë pikërisht amerikanët ata që kanë financuar mbrojtjen e tyre,” tha ajo.
Pas takimit, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se Rutte dhe Trump zhvilluan një diskutim “të sinqertë”.
Ajo shtoi se ata shkëmbyen pikëpamje për një sërë çështjesh që lidhen me sigurinë e përbashkët, përfshirë edhe në kontekstin e Iranit.
“Sekretari i Përgjithshëm theksoi rëndësinë që aleatët të vazhdojnë të rrisin angazhimin për një aleancë më të fortë dhe më të drejtë”, tha ajo në platformën X të një kompanie amerikane të mediave sociale.





















