| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shpallet epidemi e etheve të Nilit Perëndimor në pesë komuna të Shkupit, shënohet viktima e parë
Nga Instituti i Shëndetit Publik informuan se deri më 11 gusht janë regjistruar 26 raste, për katër pacientë është duke u zhvilluar procedura diagnostikuese, ndërsa një pacient 83-vjeçar ka humbur jetën.
Shpallet epidemi e etheve të Nilit Perëndimor në pesë komuna të Shkupit, shënohet viktima e parë
Shpallet epidemi e etheve të Nilit Perëndimor në pesë komuna të Shkupit, shënohet viktima e parë

Në komunat e Shkupit; Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden është shpallur epidemi e etheve të Nilit Perëndimor.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, së bashku me përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës së Shëndetit Publik Shkup dhe Klinikës për Sëmundje Infektive, në konferencën e sotme për media informuan për gjendjen epidemiologjike lidhur me ethen e Nilit Perëndimor në vend.

"Kjo nuk është një sëmundje e re, ajo ka qenë e pranishme edhe gjatë viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit, për shkak të gjendjes aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, u shfaq nevoja për një përgjigje të përforcuar institucionale", theksoi Andovski.

Ai bëri thirrje që të mos ketë vend për panik, por për kujdes dhe përgjegjësi, përkatësisht qytetarët të marrin masa për mbrojtje personale, të veshin veshje të përshtatshme, si dhe të shmangin vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.

Nga Instituti i Shëndetit Publik informuan se deri më 11 gusht janë regjistruar gjithsej 26 raste, për katër pacientë është duke u zhvilluar procedura diagnostikuese ndërsa një pacient 83-vjeçar ka humbur jetën.

Virusi i Nilit Perëndimor

Për mbrojtjen nga virusi i Nilit Perëndimor, i cili më së shpeshti transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të gjinisë "Culex", nuk ka vaksinë të disponueshme dhe rekomandohet mbrojtja nga pickimet e mushkonjave.

Periudha e inkubacionit nga momenti i pickimit të mushkonjës zakonisht zgjat nga 2 deri në 14 ditë ndërsa te personat me imunitet të dobësuar kjo periudhë mund të zgjatet deri në 21 ditë.

Rreth 80 për qind e personave të infektuar me virus nuk shfaqin asnjë simptomë ndërsa te rreth 20 për qind e pacientëve mund të shfaqen simptoma si temperaturë, dobësi, të përziera dhe të vjella, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore.

Rastet me virusin e Nilit Perëndimor regjistrohen më së shpeshti në Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë