Izraeli pranon se vrau vajzën Hind Rajab pas 933 ditësh. Pse tani?
LUFTA NË GAZA
9 minuta leximi
Izraeli pranon se vrau vajzën Hind Rajab pas 933 ditësh. Pse tani?Pranimi i vonuar vjen në një kohë kur Izraeli po përballet me një shqyrtim gjithnjë e më të madh nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjPN), ku shtetet mund të përpiqen t'i bllokojnë çështjet duke dëshmuar se po i hetojnë vetë, në mënyrë reale.
Izraeli pranon se vrau vajzën Hind Rajab pas 933 ditësh. Pse tani? /AA

Izraeli fillimisht kishte mohuar se ushtarët e tij kishin qëlluar ndaj makinës së Hindit. Vetëm këtë javë, ai pranoi se forcat e veta kishin qëlluar mbi automjetin.

Forcat izraelite vranë pesëvjeçaren Hind Rajab së bashku me familjen e saj më 29 janar 2024, në atë që është bërë një nga aktet më tronditëse të dhunës ndaj civilëve palestinezë në Gaza gjatë afro tre viteve të fundit.

Hind i mbijetoi breshërisë së parë të të shtënave, por mbeti e bllokuar mes trupave të pajetë të familjarëve të saj në rrënojat e makinës, duke pritur për një shpëtim që nuk do të arrinte kurrë.

Telefonata e saj e fundit, në të cilën lutej që dikush të vinte ta shpëtonte, u dëgjua nga miliona njerëz në mbarë botën. Ajo u shndërrua në një simbol të cilin Izraeli, për më shumë se dy vjet, është përpjekur ta varrosë bashkë me të.

Për pjesën më të madhe të kësaj kohe, Izraeli mohoi se ushtarët e tij kishin qëlluar ndaj makinës. Më pas pranoi se trupat e tij kishin qenë në atë zonë dhe vetëm këtë javë pranoi për herë të parë se forcat e veta kishin qëlluar mbi automjetin.

Ushtria thotë se tashmë është hapur një hetim penal për vrasjen e Hindit, duke përmendur “dështime të pretenduara në koordinimin e lëvizjes së ambulancës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze”. Paralelisht po zhvillohet një hetim tjetër për vrasjen e 15 mjekëve dhe punonjësve të shpëtimit në Rafah vitin e kaluar.

Hetimi, i shpallur dy vjet e gjysmë pas vdekjes së Hindit, ndjek një model që provat ekzistuese e kanë bërë tashmë të njohur, sipas Nasir Kadrit, praktikues i së drejtës ndërkombëtare dhe studiues kritik i ligjit në Universitetin Koç.

“Çdo hetim i rëndësishëm ushtarak izraelit mbi vrasjen e gazetarëve, civilëve dhe punonjësve të ndihmës ka ndjekur të njëjtën rrjedhë institucionale: mohim fillestar, vlerësim faktik nga personel ushtarak operacional dhe jo nga hetues penalë, dhe më pas referim te Prokurori i Përgjithshëm Ushtarak”, tha Kadri për TRT World.

“Kjo pasohet nga një shqyrtim i zgjatur dhe përfundimisht mbyllja e çështjes pa ndjekje penale, zakonisht me arsyetimin e mungesës së provave ose të marrjes së një vendimi legjitim në kuadër të luftimeve”, shtoi ai. 

Pse tani?

Njoftimi vjen në një kohë kur Izraeli po përballet me një shqyrtim të ripërtërirë ligjor lidhur me luftën në Gaza, sulmet e tij në Liban dhe gjetkë.

Sipas parimit të plotësueshmërisë të Statutit të Romës, Gjykata Penale Ndërkombëtare duhet të ndërhyjë vetëm kur një shtet është “i pavullnetshëm ose i paaftë” për t'i hetuar realisht shtetasit e vet. Kjo do të thotë se një shtet që përballet me ndjekje penale ka një nxitje të drejtpërdrejtë për ta krijuar pamjen se po zhvillon procedura të brendshme, përpara se të merret një vendim mbi pranueshmërinë e çështjes.

Kadri argumenton se pikërisht kjo po ndodh tani: Izraeli po paraqet për herë të parë një raportim publik mbi sjelljen e tij gjatë luftës në momentin kur pozita e tij ligjore përballë Gjykatës është bërë më e vështirë për t'u mbrojtur.

“Izraeli aktualisht është subjekt i procedurave aktive në GjPN, përballet me referime për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe vepron nën Opinionin Këshillues të korrikut 2024, i cili konstatoi se pushtimi i tij shkel norma detyruese të së drejtës ndërkombëtare”, tha Kadri.

“Sipas nenit 17 të Statutit të Romës, një shtet mund ta kundërshtojë pranueshmërinë e një çështjeje përpara GjPN-së duke dëshmuar se po zhvillohen hetime të vërteta në nivel kombëtar.”

Sipas tij, koha e njoftimit përkon me dobësimin e pozitës së Izraelit përballë GjPN-së dhe jo me shfaqjen e ndonjë prove të re.

Fondacioni Hind Rajab, një organizatë juridike me seli në Bruksel që kërkon përgjegjësi ndërkombëtare për veprimet e ushtrisë izraelite ndaj palestinezëve, nuk ka besim te hetimi izraelit. Ai e quajti njoftimin “pak më shumë se një farsë për të shmangur përgjegjësinë dhe për ta ruajtur pandëshkueshmërinë”.

Sipas një shqyrtimi të pavarur të cituar nga fondacioni, nga 52 hetime ushtarake izraelite të bëra publike për shkelje në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, 88% janë mbyllur pa konstatuar ndonjë shkelje ose kanë mbetur të hapura pafundësisht pa u publikuar asnjë rezultat, ndërsa vetëm një prej tyre ka çuar në një dënim me burg. 

“Ne e shohim këtë hetim të ri si pjesë të një modeli, jo si një përpjekje të vërtetë për drejtësi, por si një farsë për të zbardhur krimet kundër palestinezëve”, tha një zëdhënës i Fondacionit Hind Rajab për TRT World.

“Koha e këtij njoftimi është qartësisht strategjike. Këto njoftime vijnë kur presioni ndërkombëtar është i lartë dhe shërbejnë për ta krijuar iluzionin e përgjegjshmërisë.”

“Duke pasur parasysh historinë e Izraelit, ku hetime të tilla kanë përfunduar pa pasoja domethënëse, kjo duket e krijuar për t'i shmangur kritikat dhe jo për të sjellë drejtësi”, shtoi zëdhënësi.

Një iluzion përgjegjshmërie

Izraeli thotë se ka referuar më shumë se 1.000 incidente të kohës së luftës te mekanizmi i vet i shqyrtimit të brendshëm dhe se si rezultat ka hapur 74 çështje penale, por nuk ekziston një pasqyrë e plotë publike që tregon se ku ndodhen shumica e këtyre çështjeve. 

Ushtria izraelite pranoi në vitin 2022 se kishte një “mundësi të lartë” që ushtarët e saj të kishin vrarë korrespondenten e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, por përsëri refuzoi të hapte hetim penal dhe e mbylli çështjen pa asnjë akuzë.

Po ashtu, në të njëjtën javë kur Izraeli hapi hetimin penal për vrasjen e Hindit, ai mbylli një tjetër çështje lidhur me sulmin e prillit 2024 që vrau punonjësen e World Central Kitchen, Zomi Frankcom, dhe gjashtë kolegë të saj. Ushtria përjashtoi hapjen e një hetimi penal, pavarësisht pranimit të mëparshëm se i kishte vrarë ata “pa dashje”.

Sipas Kadrit, hetimet izraelite janë strukturuar në mënyrë të tillë që ta krijojnë pamjen e përgjegjshmërisë, ndërsa rezultati i tyre i zakonshëm është pandëshkueshmëria.

“Nga qindra raste ku ekzistonte dyshimi penal se ushtarët izraelitë kishin vrarë civilë palestinezë, vetëm tre çuan në aktakuza, një normë ndjekjeje penale prej 0,87%”, tha Kadri.

Ai shpjegon se dokumentet e brendshme izraelite tregojnë se hetimet nuk kanë nevojë të çojnë në dënime; mjafton që ato të ekzistojnë, duke përdorur parimin e plotësueshmërisë të nenit 17 të Statutit të Romës për ta penguar juridiksionin e GjPN-së.

Fondacioni Hind Rajab tashmë i ka dorëzuar GjPN-së emrat e kolonelit Beni Aharon të Brigadës së 401-të të Blinduar, nënkolonelit Daniel Ella të Batalionit 52, majorit Sean Glass të kompanisë “Vampire Empire” dhe 22 ushtarëve të tjerë, emrat e të cilëve për momentin nuk i ka bërë publikë.

“Ne e dimë se kush e vrau Hindin”, tha drejtori i fondacionit, Dyab Abou Jahjah, duke argumentuar se rruga e vërtetë drejt drejtësisë kalon përmes GjPN-së dhe gjykatave jashtë Izraelit, dhe jo përmes sistemit ushtarak izraelit të drejtësisë. 

335 plumba shpuan makinën e Hindit

Hind po largohej nga Tel al-Hawa me xhaxhain, hallën dhe katër kushërinj kur forcat izraelite hapën zjarr.

Kushërira e saj 15-vjeçare, Layan Hamada, qëndroi në telefon me Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze dhe u tregoi se një tank po afrohej dhe se të gjithë në makinë, përveç saj dhe Hindit, ishin vrarë.

Sekonda më vonë, shpërtheu përsëri breshëria e të shtënave dhe britmat e Layanit pushuan.

Një hetim i Forensic Architecture më vonë konstatoi se tanku izraelit ndodhej vetëm 13 deri në 23 metra larg makinës, aq pranë sa mund t'i shihte qartë dy fëmijët brenda saj.

Hetimi gjithashtu zbuloi se ndaj automjetit ishin qëlluar 335 plumba, prej të cilëve 64 në vetëm gjashtë sekonda, ndërsa Layan ishte ende në telefon me Gjysmëhënën e Kuqe. 

Paramedikët Yusuf al-Zeino dhe Ahmed al-Madhoun u nisën për të arritur te Hinda, por nuk u dëgjuan më kurrë.

Forcat izraelite e mbajtën zonën të bllokuar për dy javë, përpara se dikush të mund të arrinte te rrënojat. Kur ekipet e shpëtimit më në fund hynë në zonë, gjetën trupat e Hindit dhe familjarëve të saj pranë ambulancës së djegur. Dy paramedikët ndodheshin ende brenda ambulancës.

Për juristët ndërkombëtarë, ndjekja penale e personave të përfshirë drejtpërdrejt nuk do të mjaftonte për të sjellë drejtësi.

“Ndjekja individuale penale, edhe nëse është e suksesshme, nuk mund të sigurojë atë që palestinezët dhe popujt e tjerë që jetojnë nën pushtim ushtarak kanë nevojë realisht: vetëvendosjen”, tha Kadri.

“Përgjegjshmëria reale kërkon ndjekjen penale të vendimmarrësve që hartuan rregullat e angazhimit, jo vetëm të ushtarëve që i zbatuan ato, si dhe çmontimin e transfertave të armëve, marrëdhënieve tregtare dhe mbështetjes diplomatike.”

Gjyshja e Hindit e ka refuzuar tashmë hetimin izraelit. Ajo i tha Anadolut se familja nuk ka besim te drejtësia izraelite, se makina ishte shënjestruar qëllimisht dhe se vetëm një hetim i pavarur ndërkombëtar mund t'i përgjigjet kësaj çështjeje.

“Ne nuk kërkojmë drejtësi vetëm në emër të Hindit, si një fëmijë nga Gaza”, tha ajo, “por në emër të të gjithë fëmijëve tanë martirë në Gaza.”

Kaouther Ben Hania, regjisorja tuniziane e filmit The Voice of Hind Rajab, gjithashtu e ka refuzuar hetimin, duke e quajtur atë “një perde tymi”.

“Shikoni rastet për të cilat ushtria izraelite po zgjedh të flasë sot: janë pikërisht ato që opinioni publik ndërkombëtar e ka bërë të pamundur t'i injorojë. Po të gjithë të tjerët? Ata emra që nuk do t'i mësojmë kurrë, sepse vdekjet e tyre nuk arritën të çajnë murin e indiferencës ndërkombëtare?” tha Ben Hania.

“Përgjegjshmëria reale do të kërkonte organe të pavarura dhe neutrale, jo të njëjtën ushtri që kreu krimin. Drejtësia e vërtetë nënkupton hetim nga GjPN-ja dhe gjykatat kombëtare jashtë vendit”, tha një zëdhënës i Fondacionit Hind Rajab për TRT World.

“Ne tashmë e kemi identifikuar njësinë izraelite dhe komandantët përgjegjës dhe ua kemi dorëzuar emrat dhe provat GjPN-së. Do të vazhdojmë t'i ndjekim ankesat në vende të tjera derisa drejtësia të vihet në vend.”