Prodhues të qumështit në Kosovë kanë protestuar sot para Ministrisë së Bujqësisë, të Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural me kamionë dhe cisterna duke derdhur qumësht para ministrisë në shenjë pakënaqësie me trajtimin shtetëror të industrisë së qumështit.
Ata kanë derdhur qindra litra qumësht nga cisternat në drejtim të ndërtesës së ministrisë, në shenjë pakënaqësie me atë se si ekzekutivi po e menaxhon industrinë e qumështit. Prodhuesit e qumështit në Kosovë kanë kërkuar që të merren masa nga shteti për industrinë dhe të garantohen investime dhe siguri në produktet e qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Ata kërkuan që Qeveria e Kosovës urgjentisht të ndalojë importin e qumështit nga vendet e rajonit me çmime damping sepse kështu favorizohen importuesit dhe jo prodhuesit vendorë.
Protesta vjen pasi në Kosovë u mbyll për disa ditë fabrika e qumështores “Vita” në Istog përkohësisht nga vetë kompania. Mbyllja e saj erdhi pasi inspektorë të Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kryen kontrolle gjatë 2 korrikut në këtë fabrikë. Më vonë, nga kjo kompani thanë se do të rinisin punën, sapo autoritetet të publikojnë rezultatet e mostrave të marra.
Agjencia e Ushqimit tha se gjatë kontrollit fizik të objektit gjeti mospërputhje me ligjet në fuqi.





















