| Albanian
SPORT
2 minuta leximi
Raportohet se FIFA planifikon të dyfishojë fondin e shpërblimeve për Kupën e Botës për Femra
Shifra e propozuar mbetet shumë më e ulët se 655 milionë dollarët e ndarë si shpërblime financiare për ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026 për meshkuj.
Raportohet se FIFA planifikon të dyfishojë fondin e shpërblimeve për Kupën e Botës për Femra
Raportohet se FIFA planifikon të dyfishojë fondin e shpërblimeve për Kupën e Botës për Femra/ AA

FIFA planifikon të dyfishojë shumën e shpërblimeve financiare për Kupën e Botës 2027 në konkurrencën e femrave, që do të mbahet në Brazil, duke e çuar atë në 220 milionë dollarë, por rritja e propozuar nuk do të mjaftojë për ta arritur objektivin e barazimit me turneun e meshkujve, raportoi të enjten Sky News.

Shuma e planifikuar do të përbënte një rritje të konsiderueshme krahasuar me 110 milionë dollarët e ndarë në Kupën e Botës 2023 në Australi dhe Zelandën e Re, si dhe me 30 milionë dollarët e shpërndarë në vitin 2019.

Megjithatë, shifra e propozuar mbetet shumë më e ulët se 655 milionë dollarët e ndarë si shpërblime financiare për ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026 për meshkuj, sipas të dhënave zyrtare të FIFA-s.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u zotua në vitin 2023 se do të angazhohej për barazi në shpërblimet financiare për turnetë e meshkujve në vitin 2026 dhe të femrave në vitin 2027.

Sipas raportimit, organi drejtues i futbollit botëror pret gjithashtu që turneu i vitit 2027 të bëhet Kupa e parë e Botës për femra që do të gjenerojë fitim.

- Fondet për përgatitje dhe pagesat për klubet

Përveç shpërblimeve financiare, FIFA ka konfirmuar se secila prej 32 kombëtareve pjesëmarrëse do të marrë 2,5 milionë dollarë për përgatitje, të njëjtën shumë që u është ndarë ekipeve në turneun e meshkujve të vitit 2026.

Kjo masë do ta çojë financimin e përgjithshëm për përgatitje në 80 milionë dollarë, krahasuar me 30,7 milionë dollarë për edicionin e vitit 2023.

Sipas raportimeve, FIFA po shqyrton gjithashtu dyfishimin e pagesave për klubet që lirojnë futbollistet për Kupën e Botës për femra ose që kanë kontribuuar në zhvillimin e tyre, nga 11,3 milionë dollarë në vitin 2023 në rreth 22,6 milionë dollarë.

Sipas raportimit, pritet të rritet edhe pagesa minimale e garantuar për secilën futbolliste, e cila në vitin 2023 ishte caktuar në 30.000 dollarë.

FIFA tha se çdo tepricë financiare e gjeneruar nga turneu do t’u shpërndahet federatave kombëtare pjesëmarrëse, ndërsa një pjesë e saj do të rezervohet posaçërisht për futbollistet.

Organi drejtues i futbollit botëror ende nuk i ka bërë publike zyrtarisht shpërblimet e propozuara dhe bëri të ditur se hollësitë e mëtejshme të modelit të shpërndarjes së mjeteve financiare do të diskutohen në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s në dhjetor.