Figura e opozitës izraelite, Yair Lapid, ka deklaruar se kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ka “asnjë mundësi” për ta formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të kësaj jave, ndërsa kampet rivale politike i kanë intensifikuar përpjekjet për të krijuar një koalicion qeverisës.
Transmetuesi publik izraelit KAN mbrëmë raportoi se numërimi i votave kishte përfunduar, me bllokun e Netanyahut që siguroi 53 mandate, bllokun opozitar të Ndryshimit 48 mandate dhe partitë arabe 19 mandate në Knessetin prej 120 anëtarësh.
Asnjëri nga dy blloqet kryesore nuk arriti 61 mandatet e nevojshme për shumicën parlamentare. Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më 4 nëntor, pas procedurave të verifikimit.
“Kaq ka ai. Pavarësisht se çfarë përpiqet të bëjë, nuk ka asnjë mundësi ta formojë qeverinë”, shkroi Lapid në rrjetin social amerikan X, duke iu referuar 53 mandateve të Netanyahut.
Ai theksoi se blloku i kryeministrit izraelit kishte pasur 68 mandate në Knessetin në largim, duke e cilësuar rezultatin një goditje të madhe.
Lapid theksoi gjithashtu pjesëmarrjen e votuesve prej 77,7 për qind, më të lartën që nga viti 1999 dhe e përshkroi performancën e opozitës si një “fitore me pikë”, e jo si një “fitore me nokaut”.
“Tani vjen pjesa vërtet e vështirë. Përpjekja për të formuar një qeveri. Formimi i qeverisë është krejt e kundërta. Ai zhvillohet në dhoma të vogla, ngadalë, larg kamerave”, tha ai, duke iu referuar dallimit mes fushatës zgjedhore dhe negociatave për koalicionin.
“Do të jetë e vështirë. Nuk kam asnjë garanci”, tha Lapid, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të tregojnë durim.
Partitë rivale i shqyrtojnë mundësitë për koalicion
Ndërkohë, sipas së përditshmes izraelite Yedioth Ahronoth, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Fuqia Hebraike, Itamar Ben-Gvir, dje u takua me Netanyahun për t'i diskutuar përpjekjet për të ruajtur një qeveri të djathtë.
Partia Fuqia Hebraike njoftoi se të dy zhvilluan bisedime të gjata lidhur me parandalimin e formimit të asaj që e përshkroi si një qeveri të majtë të mbështetur nga partitë arabe.
Ndërkohë, lideri i partisë Demokratët, Yair Golan, u bëri thirrje drejtuesve të bllokut të Ndryshimit që t'i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre lidhur me bashkëpunimin me partitë arabe.
Dje, Golan u takua me liderin e Listës së Bashkuar Arabe (Ra’am), Mansour Abbas, në kuadër të përpjekjeve për ta përshpejtuar formimin e një qeverie alternative.
Ai ka mbështetur më parë përfshirjen e Ra’am në një koalicion të ardhshëm, ndërsa lideri i partisë Yisrael Beiteinu, Avigdor Lieberman, e kundërshton formimin e një qeverie që i përfshin partitë arabe.
Së bashku, blloku i Ndryshimit dhe partitë arabe kanë 67 mandate, mjaftueshëm për ta siguruar shumicën parlamentare.
Megjithatë, partitë arabe nuk janë zyrtarisht pjesë e bllokut të Ndryshimit dhe mosmarrëveshjet mes liderëve të opozitës lidhur me bashkëpunimin me to vazhdojnë të mbeten pengesë për formimin e një qeverie pa Netanyahun.





















