| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Trumpi: ShBA-ja kundërshton tarifat në Hormuz, zotohet të marrë uraniumin e pasuruar nga Irani
“Nuk duam tarifa. Është rrugë ujore ndërkombëtare”, tha presidenti amerikan, Donald Trump.
Trumpi: ShBA-ja kundërshton tarifat në Hormuz, zotohet të marrë uraniumin e pasuruar nga Irani
Trumpi: ShBA-ja kundërshton tarifat në Hormuz, zotohet të marrë uraniumin e pasuruar nga Irani / Reuters

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, deklaroi të enjten se Uashingtoni kundërshton çdo tarifë për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe u zotua se Irani nuk do të lejohet të mbajë uranium të pasuruar në nivele të larta.

“Nuk duam tarifa. Është rrugë ujore ndërkombëtare. Ata nuk po vendosin tarifa tani”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Trump pretendoi gjithashtu se Irani po përballet me humbje të mëdha financiare për shkak të kufizimeve ndaj aktivitetit detar.

I pyetur nëse Irani mund të mbajë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në kuadër të ndonjë marrëveshjeje të ardhshme, Trump u përgjigj prerazi:

“Jo, ne do ta marrim uraniumin e pasuruar; do ta marrim. Nuk na duhet. Nuk e duam. Me shumë gjasa do ta shkatërrojmë pasi ta marrim, por nuk do t’i lejojmë ta mbajnë”, tha ai.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill me ndërmjetësimin e Pakistanit, por bisedimet e zhvilluara në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje afatgjatë. Më vonë, Trump e zgjati armëpushimin pa afat, ndërsa vazhdoi bllokadën ndaj anijeve që lëvizin drejt ose nga portet iraniane përmes Ngushticës së Hormuzit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë