| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Italia heton një sulm të mundshëm kibernetik ndaj Drejtorisë së Hetimeve Kundër Mafias
Në rrjetet sociale pretendohet se rreth 300 dosje nga bazat e të dhënave të institucionit janë nxjerrë në shitje në rrjetin e errët.
Italia heton një sulm të mundshëm kibernetik ndaj Drejtorisë së Hetimeve Kundër Mafias
Italia heton një sulm të mundshëm kibernetik ndaj Drejtorisë së Hetimeve Kundër Mafias

Autoritetet italiane kanë nisur verifikimet në Drejtorinë e Hetimeve Kundër Mafias për të përcaktuar nëse sistemet e saj janë komprometuar nga një sulm kibernetik, raportoi të hënën agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Sipas publikimeve në rrjetet sociale, të cituara nga ANSA, një përdorues me pseudonimin “weykofa” ka ofruar për shitje në rrjetin e errët një arkiv me rreth 300 dosje, me madhësi totale prej më shumë se 220 megabajt. Raportohet se përdoruesi ka kërkuar gjithashtu shpërblim në bitcoin.

Materialet që dyshohet se janë vjedhur përfshijnë informacione për më shumë se 20 grupe të krimit të organizuar, dosje hetimore, statistika të brendshme, të dhëna për personelin, dokumente financiare dhe korrespondencë me Europol-in dhe Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, tha se në mbledhjen e Komitetit Kombëtar për Rendin Publik dhe Sigurinë, të planifikuar për të martën, do të shqyrtohen rreziqet që lidhen me sulmet kibernetike dhe kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë publike.

Duke folur në Diamante, në jug të Italisë, Piantedosi iu referua gjithashtu raportimeve se të dhënat e disa zyrtarëve, përfshirë ministrin e Jashtëm të Italisë, prokurorin e Romës dhe drejtuesin e Policisë Postare dhe të Komunikimeve, ishin ofruar për shitje në rrjetin e errët.

“Është e drejtë të përpiqemi të kuptojmë se çfarë fshihet pas kësaj dhe, mbi të gjitha, çfarë pasojash mund të ketë për sigurinë e njerëzve dhe të komunitetit”, tha ai.

Piantedosi shtoi se autoritetet do të përpiqen gjithashtu të përcaktojnë motivet që qëndrojnë pas këtyre incidenteve dhe të identifikojnë masat e nevojshme për t'i trajtuar ato.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë