| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ministri Gogu: Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Evropian
Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Toni Gogu, ka pritur sot në Tiranë ministren e Drejtësisë së Austrisë, Anna Sporrer.
Ministri Gogu: Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Evropian
Ministri Gogu: Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Evropian / TRT Balkan

Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Toni Gogu, ka deklaruar Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Evropian (BE). 

Ministri Gogu ka pritur sot në Tiranë ministren e Drejtësisë së Austrisë, Anna Sporrer. Në një njoftim nga Ministria e Drejtësisë thuhet se takimi Gogu-Sporrer kishte në fokus avancimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit, ministri Gogu theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Evropian, "duke avancuar drejt mbylljes së piketave të ndërmjetme, çka pritet të pasohet nga mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare dhe nisja e punës për mbylljen e kapitujve".

"Ai (Gogu) vlerësoi mbështetjen e qëndrueshme të Austrisë në procesin e reformës në drejtësi dhe në përgjithësi për sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar se ajo po konkretizohet në programe që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, si ndihma juridike falas, përfshirja e të rinjve juristë dhe fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile", thekson njoftimi.

Ministri Gogu ka theksuar se pavarësisht progresit të arritur, sfidat në sistemin e drejtësisë mbeten, duke veçuar nevojën për rritjen e aksesit në drejtësi, përmirësimin e efikasitetit të sistemit dhe forcimin e garancive proceduriale për qytetarët.

"Ministrja Sporrer i vlerësoi reformat e ndërmarra dhe ritmin e progresit të Shqipërisë, duke konfirmuar mbështetjen e Austrisë për avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ajo shtoi se Austria është krenare për ndihmën e ofruar për operacionin ndërkombëtar të monitorimit (ONM) dhe drejtime të tjera në fushën e drejtësisë. Të dy ministrat theksuan se rezultatet në sundimin e ligjit janë tashmë thelbësore për vijimin e procesit të integrimit, duke nënvizuar se puna e përbashkët do të vijojë për një drejtësi që funksionon në praktikë dhe jo vetëm në ligj", thuhet në njoftim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë