| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Partitë opozitare të Kosovës vijojnë bojkotin për votimin e presidentit, shtyhet seanca për në 23:00
Haxhiu caktoi seancë të re për orën 23:00, vetëm një orë para skadimit të afatit kushtetues për emërimin e presidentit të ri të vendit.
Partitë opozitare të Kosovës vijojnë bojkotin për votimin e presidentit, shtyhet seanca për në 23:00
Partitë opozitare të Kosovës vijojnë bojkotin për votimin e presidentit, shtyhet seanca për në 23:00 / AA

Partitë opozitare shqiptare në Kosovë kanë vazhduar bojkotin edhe në thirrjen e tretë të seancës parlamentare për votimin e presidentit të ri, kur afati kushtetues për votim është ora 12 e mesnatës.

Pavarësisht thirrjeve nga partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, dhe kreu i kësaj partie,  Albin Kurti, i cili njëherësh udhëheq Qeverinë e Kosovës, partitë opozitare nuk u janë përgjigjur thirrjeve të tyre me pjesëmarrje në seancë.

Seanca e thirrur për orën 19:00 ishte caktuar si vazhdim për të tretën herë me radhë, pasi thirrjet e mëhershme për seancë, ajo e orës 10:00 dhe ajo e orës 14:00, dështuan për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, e cila është edhe ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje edhe një herë partive parlamentare që të marrin pjesë në seancë parlamentare, por ata nuk erdhën në sallë. Haxhiu caktoi seancë të re për orën 23:00, vetëm një orë para skadimit të afatit kushtetues për emërimin e presidentit të ri të vendit.

Mbrëmjen e djeshme, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë.

Partitë opozitare kërkuan që Feride Rushiti të tërhiqet nga gara dhe “loja” e kryeministrit Kurti, ndërsa gjithashtu kritikuan pushtetin që nisi seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.

Në rast moszgjedhjeje të presidentit deri në mesnatë, Kosova do të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë