| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti akuzon opozitën për delegjitimim të rezultatit zgjedhjor të 28 dhjetorit
Kryeministri u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të jenë pjesë e seancës në orën 19:00.
Kurti akuzon opozitën për delegjitimim të rezultatit zgjedhjor të 28 dhjetorit
Kurti akuzon opozitën për delegjitimim të rezultatit zgjedhjor të 28 dhjetorit / AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media nga Qeveria e Kosovës, me vetëm edhe pak orë para skadimit të afatit të rregullt kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, tha se mungesa e opozitës në seanca për zgjedhjen presidentit është mosnjohje e rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se partia që ai udhëheq i fitoi me 51,1 për qind zgjedhjet e fundit parlamentare dhe këtë nuk po e pranon opozita e cila po bojkoton çështjen e presidentit.

Ai tha se Kosovës nuk i duhen bllokadat e reja dhe vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.

“Me bindjen e thellë që Kosovës nuk i duhen bllokadat e atyre dhjetë muajve të vitit të shkuar. Me besimin e plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja meqë kemi mbajtur mjaftueshëm të tilla në vitin 2025 dhe rezultati ka qenë i qartë si asnjëherë më parë, ndërkohë qe vendit do t’ia humbnim edhe së paku mbi 10 milionë euro vetëm për organizmin e zgjedhjeve, pa përmendur dhjetëra milionë të tjerë të cilat i humbim për shkak se nuk mund të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare siç duam”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se duke pasur parasysh rrethanat e rënduara globale, partia e tij bëri të gjitha përpjekjet që Kosova të mos shkojë në zgjedhje të reja.

Kurti tha se u përpoqën për kandidat konsensual, ftoi krerët e partive politike opozitare në takim, por mori vetëm refuzime.

Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të jenë pjesë e seancës në orën 19:00.

“Në seancën e orës 19:00 presim në këtë vazhdim të kemi edhe deputetët e opozitës të cilët e kanë vendin në Kuvend”, tha Kurti para seancës.

Sot është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri në Republikën e Kosovës. Në rast të moszgjidhjes së tij, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë