Presidenti amerikan Donald Trump publikoi të shtunën në llogarinë e tij në Truth Social një postim që shfaqte hartën e Venezuelës të mbuluar me flamurin amerikan dhe të etiketuar si “Shteti i 51-të”.
Postimi erdhi një ditë pasi presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, hodhi poshtë idenë që vendi të bëhej një tjetër shtet i ShBA-së, pas deklaratave të Trumpit se ai po e “shqyrtonte seriozisht” këtë mundësi.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë integritetin, sovranitetin, pavarësinë tonë dhe historinë tonë, e cila është histori lavdie e burrave dhe grave që dhanë jetën për të siguruar që ne të mos ishim koloni, por një vend i pavarur”, tha Rodriguez.
Komentet e saj erdhën pasi Trumpit deklaroi në një intervistë për Fox News se po shqyrtonte mundësinë që Venezuela të bëhej shteti i 51-të i ShBA-së.
Pas kapjes së ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga shtëpia e tij në Karakas dhe transferimit të tij në Shtetet e Bashkuara më 2 janar, Trump ka deklaruar vazhdimisht se “po shkon shumë mirë me Venezuelën”.



















