Gjithsej 102 liderë që përfaqësojnë 95 vende dhe shtatë organizata ndërkombëtare pritet të marrin pjesë në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31 në Türkiye, me pjesëmarrje nga gjashtë kontinente, njoftoi Ministria turke e Mjedisit, e Urbanizimit dhe e Ndryshimeve Klimatike.
Sipas një deklarate të ministrisë, COP31, që do të zhvillohet në Antalya më 9-20 nëntor, do të bashkojë 196 vende dhe BE-në, të gjitha palët në konventë. Në samit pritet të marrin pjesë 37 krerë shtetesh, 35 krerë qeverish, tetë nënkryetarë, shtatë zëvendëskryeministra, dy princa të kurorës, një princ, një kryetar parlamenti dhe katër përfaqësues special.
Shtatë organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në nivel lidershipi: Komisioni Evropian, OKB, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Banka Botërore, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Udhëheqës dhe përfaqësues të lartë priten nga vende të Evropës, Afrikës, Azisë, Amerikës dhe Oqeanisë.
Pjesëmarrësit evropianë përfshijnë Austrinë, Britaninë e Madhe, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë, Finlandën, administratën greke qipriote, Holandën, Spanjën, Suedinë, Italinë, Malin e Zi, Republikën Turke të Qipros Veriore, Maqedoninë e Veriut, Lihtenshtajnin, Maltën, Moldavinë, Norvegjinë, Rusinë, Slloveninë dhe Ukrainën.
Pjesëmarrësit afrikanë përfshijnë Botsvanën, Burundin, Algjerinë, Eswatinin, Etiopinë, Bregun e Fildishtë, Gabonin, Guinea-Bissaun, Komoret, Republikën e Kongos, Republikën Demokratike të Kongos, Lesoton, Libinë, Madagaskarin, Malin, Mauritaninë, Mozambikun, Ruandën, Sejshellet, Somalinë, sudanin, Tanzaninë, Togon dhe Zimbabvenë.
Nga Azia dhe Lindja e Mesme, pjesëmarrësit përfshijnë Azerbajxhanin, Bangladeshin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kinën, Indonezinë, Armeninë, Palestinën, Korenë e Jugut, Gjeorgjinë, Irakun, Qeverinë Rajonale Kurde të Irakut, Iranin, Katarin, Kazakistanin, Kirgistanin, Kuvajtin, Libanin, Maldivet, Malajzinë, Uzbekistanin, Pakistanin, Sirinë, Arabinë Saudite, Taxhikistanin dhe Turkmenistanin.
Amerika do të përfaqësohet nga Bolivia, Brazili, Guajana, Venezuela, Antigua dhe Barbuda, Bahamas, Barbados, Saint Kitts dhe Nevis dhe Saint Lucia.
Australia, Kiribati, Ishujt Marshall, Mikronezia, Niue, Palau, Ishujt Solomon, Tonga dhe Tuvalu gjithashtu pritet të marrin pjesë.
Vendimet e COP-it të miratuara me konsensus
Konferenca e Palëve (COP) është organi më i lartë vendimmarrës i Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), miratuar në vitin 1992.
Të gjitha palët në konventë janë të përfaqësuara në takimet e COP-it, ku ata shqyrtojnë zbatimin e konventës dhe instrumentet ligjore përkatëse, vlerësojnë progresin global dhe miratojnë vendime që synojnë të sigurojnë përgjigje efektive dhe të koordinuar ndaj ndryshimeve klimatike.
Vendimet miratohen me konsensus midis të gjitha palëve dhe jo me shumicë votash. Gjithsej 196 vende dhe BE-ja janë të përfaqësuara në procesin e COP-it.
Takimet e nivelit të lartë të COP-it shënojnë piketa kryesore në veprimin global të klimës
Një nga funksionet kryesore të COP-it është të rishikojë komunikimet kombëtare dhe inventarët e gazit serrë të paraqitur nga vendet pjesëmarrëse.
Gjatë viteve, takimet e COP-it kanë prodhuar momente të rëndësishme në veprimin global të klimës, duke përfshirë Protokollin e Kiotos dhe Marrëveshjen e Parisit, duke ndihmuar në formimin e drejtimit të politikës ndërkombëtare të klimës.
Në COP31, Türkiye mban presidencën e samitit dhe shërben si mikpritëse ndërsa Australia kryeson negociatat. Diskutimet pritet të fokusohen te financimi i klimës, tranzicioni i drejtë, përshtatja dhe reduktimi i emetimeve.
Financimi i klimës që nevojitet për të mbështetur përpjekjet për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale pritet të mbetet çështje qendrore, si në samitet e mëparshme të COP-it.
Türkiye pret Samitin e COP-it për herë të parë
Türkiye po pret për herë të parë një samit të COP-it, ku ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum shërben si president i COP31 nën një qarkore presidenciale.
Ankaraja e sheh rolin e saj pritës si më shumë se një proces teknik të menaxhimit të planit të negociatave.
Türkiye synon t’i inkurajojë përpjekjet kolektive për të përkthyer vendimet dhe angazhimet e marra në samitet e mëparshme të klimës në veprime konkrete dhe për të forcuar COP31 si një platformë e aftë për të dhënë ndikim të qëndrueshëm global.
Prandaj, Türkiye e ka përcaktuar vizionin e saj COP31 si një "COP Implementimi", i udhëhequr nga parimet e "dialogut", "konsensusit" dhe "veprimit".























