Belgin Balalan, e cila jeton në qarkun Edremit të provincës Balikesir në Türkiye, e ka shndërruar pasionin e saj 20-vjeçar në një profesion, duke i kthyer yjet e detit dhe guaskat që i ka mbledhur që nga fëmijëria në bregdet në suvenire me duart e saj mjeshtërore.
Belgin, e cila vite më parë nisi të krijonte punime për t'ua dhuruar miqve të saj dhe pas daljes në pension nga profesioni i kontabilistes e ktheu këtë në stil jetese, prodhon objekte estetike si zbukurime muri, korniza fotografish, mbajtëse çelësash, veshje për vazo lulesh dhe panele dekorative.
Artistja e cila u jep jetë të re yjeve të detit dhe guaskave të mbledhura nga natyra, punon me përpikëri në papafingon e shtëpisë së saj, të cilën e ka shndërruar në punishte.
"Që nga fëmijëria mblidhja guaska nga bregu dhe nga fundi i detit. Kur po përgatisja një dhuratë për një mikeshë, mendova: 'Çfarë mund të bëj të personalizuar?' dhe i shndërrova guaskat që kisha në dizajne. Pas reagimeve pozitive vendosa të mos ndjek dizajnet në vendet e huaja, por të krijoj dizajnet e mia origjinale".
Ka nisur përgatitjet për ekspozitë
Balalan theksoi se, duke hapur një llogari në rrjetet sociale, ndau me ndjekësit njohuritë dhe procesin e krijimit të punimeve të saj, duke shtuar se dizajnet e produkteve i përshtat sipas qëllimit të përdorimit.
Ajo tha se veçanërisht veshja e vazove prej balte me guaska deti është një proces i mundimshëm, por shumë i pëlqyer.
"Doja që njerëzit t'i donin këto dhurata të detit dhe t'i shihnin në shtëpitë, ballkonet dhe hyrjet e tyre. Për shembull, mbajtëset e çelësave i dizajnova për hyrjet e shtëpive që sapo të hyjnë, njerëzit të ndiejnë aromën dhe freskinë e detit", tha ajo.
Balalan bëri të ditur se ka nisur përgatitjet për një ekspozitë për t'i prezantuar veprat e saj para një publiku më të gjerë, duke shtuar se synon si të ekspozojë krijimet e saj ashtu edhe t'i shesë ato sipas kërkesës, për të kontribuar në ekonominë familjare.























