Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria, përmes një marrëveshjeje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror me ShBA-në, ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe pavarësisë energjetike.
Në një video të publikuar nga Berlini, Rama bëri të ditur se marrëveshja e arritur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i garantojë Shqipërisë furnizim me gaz të lëngshëm amerikan për një periudhë 20-vjeçare.
Ai theksoi se investimi për transformimin e TEC-it të Vlorës, i ndërtuar fillimisht për të funksionuar me naftë, do të mundësojë kalimin e tij në përdorimin e gazit natyror, duke e rritur ndjeshëm efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit të energjisë elektrike në vend.
Sipas kryeministrit, ky hap i mundëson vendit një bazë të fortë për diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcon ndjeshëm sovranitetin energjetik të Shqipërisë, ndërsa pritet të nxisë edhe rritjen e investimeve të reja në sektor.
Gjithashtu, ai tha se rritja e kapaciteteve energjetike do të mbështesë zhvillimin e teknologjive të avancuara, përfshirë qendrat e të dhënave dhe programet e inteligjencës artificiale, që pritet të kenë rol kyç në dekadën e ardhshme.
Rama u shpreh se, “Vlora pritet të shndërrohet në një nyjë të rëndësishme energjetike rajonale, jo vetëm për prodhimin, por edhe për shpërndarjen dhe eksportin e gazit natyror përmes Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Kreu i qeverisë nënvizoi se pjesë e marrëveshjes është edhe ndërtimi i lidhjes me tubacion i Vlorës dhe Fierit, nga ku kalon ky gazsjellës.


















