| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Italia kërkon uljen e tensioneve me Iranin, mohon çdo rol ushtarak në luftë
Në komentet e publikuara pas një bisede telefonike me ministrin Iranian të Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, Tajani kërkoi ta theksojë pozicionin e Italisë për neutralitet në çdo përshkallëzim të mundshëm që përfshin Teheranin.
Italia kërkon uljen e tensioneve me Iranin, mohon çdo rol ushtarak në luftë
Italia kërkon uljen e tensioneve me Iranin, mohon çdo rol ushtarak në luftë/ AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se Roma nuk ka marrë pjesë në asnjë veprim ushtarak kundër Iranit dhe nuk ka autorizuar përdorimin e bazave të saj për sulme, në mes të tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme.

Në komentet e publikuara pas një bisede telefonike me ministrin Iranian të Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, Tajani kërkoi ta theksojë pozicionin e Italisë për neutralitet në çdo përshkallëzim të mundshëm që përfshin Teheranin.

“Fola me kryediplomatin iranian Araghchi. Italia nuk ka marrë kurrë pjesë në asnjë iniciativë ushtarake dhe nuk ka autorizuar kurrë përdorimin e bazave të saj për akte lufte kundër Iranit, në përputhje të plotë me traktatet me ShBA-në”, tha Tajani në një postim në rrjetin social amerikan X.

Ai bëri gjithashtu thirrje për rihapjen e plotë të rrugëve kryesore detare përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor detar strategjikisht jetik midis Gjirit dhe Detit Arabik, i cili prej kohësh ka qenë një pikë e nxehtë e tensioneve rajonale.

“Kam kërkuar rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, duke lehtësuar kalimin e të gjitha anijeve italiane të mallrave që ende mbeten të bllokuara”, shtoi ai.

Ngushtica e Hormuzit është një nga nyjet më të rëndësishme të tranzitit të naftës në botë dhe çdo ndërprerje e lundrimit atje ka pasoja ekonomike globale.

Tajani gjithashtu përmendi rëndësinë e angazhimit diplomatik si një mënyrë për t'i ulur tensionet, duke theksuar rëndësinë simbolike të pranisë diplomatike të Italisë në Teheran.

“Rihapja e ambasadës në Teheran është një sinjal i fortë dialogu edhe në funksion të rifillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore”, tha ai.

Dje në një intervistë për Fox News, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke iu përgjigjur pretendimeve se aleatët evropianë nuk e ndihmuan ShBA-në në luftën e saj kundër Iranit, tha se: “E kuptoj plotësisht zhgënjimin, por nëse marrim Italinë si shembull, 500 avionë amerikanë janë nisur nga bazat amerikane në Itali për të mbështetur operacionin. Pra, ky është një numër i madh”.

Partitë opozitare të majta reaguan ashpër ndaj deklaratave të shefit të NATO-s, duke kritikuar qeverinë e koalicionit të djathtë në pushtet.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, mohoi deklaratën e Ruttes, duke sqaruar se ishin lejuar vetëm fluturime logjistike.