Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën evropiane.
Kryeministri Rama po merr pjesë në punimet Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë, ndërkohë është pritur nga Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.
Në një deklaratë për mediat gjatë mbërritjes, Rama tha se samiti është një tjetër mundësi "për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet e përbashkëta".
"Ndërkohë, është një tjetër shans i madh për të parë se sa mund të bëjmë së bashku dhe sa e rëndësishme është te ecet përpara me bashkimin e Evropës. Duhet të shohim se çfarë qëndron realisht pas dhe ndërkohë është e qartë, që kështu siç janë gjërat, NATO duhet të mbështetet më shumë në pjesën evropiane", u shpreh Rama.
Rama deklaroi ndër të tjera se një Bashkim Evropian (BE) që nuk është i plotë, është më i dobët dhe sipas tij është më i cenueshëm sesa një "BE i cili është i plotë".
Takimi i Komunitetit Politik Evropian do të mbledhë udhëheqës nga i gjithë kontinenti nën moton "Ndërtimi i së ardhmes: Uniteti dhe stabiliteti në Evropë". Samiti do të bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.
Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, diskutimet në samit do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.



















