Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, bëri sot publike të dhënat për rastet e zjarrvënieve të evidentuara gjatë periudhës 1 qershor deri më 20 gusht.
Lamallari deklaron se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 132 raste, ndërsa Policia e Shtetit ka identifikuar 109 autorë të dyshuar, prej tyre, 25 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa rastet janë dokumentuar edhe përmes pamjeve filmike.
Ministri thekson se arrestimi i autorëve nuk është i mjaftueshëm dhe kërkoi angazhim të plotë të gjithë sistemit të drejtësisë, nga prokuroria deri te gjykata, në mënyrë që personat përgjegjës të përballen me pasojat ligjore.
“Gjatë periudhës 1 qershor 20 gusht janë evidentuar 132 raste nga të cilat policia ka evidentuar 109 autorë të dyshuar prej të cilëve 25 të arrestuar në flagrancë pra e dokumentuar me video. Disa prej tyre i kam transmetuar dhe unë në rrjetet sociale në mbështetje të apelit që unë bëja pikërisht për nevojën që kjo nuk mbetet vetëm tek policia, patjetër sistemi i drejtësisë në tërësi duke ftuar me organin e prokurorisë deri tek gjykata të bënin të mundur dënimin e këtyre aktorëve. Pra nuk mjafton vetëm arresti dhe më pas lirimi i tyre”, tha ai gjatë një interviste për mediat.
Sipas tij, është e nevojshme ngritja e një njësie të dedikuar për hetimin e krimeve mjedisore, ku përfshihen edhe zjarrvëniet, prerjet e paligjshme të pyjeve dhe dëmtimet e lumenjve e të natyrës.
“Është momenti që ne të ngremë një njësi të dedikuar për hetimin e krimeve mjedisore dhe te krimet mjedisore përfshihet pikërisht dhe zjarrvënien të gjitha krimet që trajtohen me të njëjtën shkallë përgjegjshmërie, vëmendje dhe prioritizimi nga edhe nga Bashkimi Evopian ku bëhet fjalë për mbrojtjen e pyjeve si nga zjarrvëniet si nga prerjet e paligjshme të pyjeve ku bëhet fjalë për mbrojtjen e lumenjve, natyrës të tjerë. Policia e shtetit duhet të garantojë pikërisht pasjen e të gjitha kapaciteteve të nevojshme, përfshij dhe ato forenzike, pra kriminalistike”, tha Lamallari.






















