Një gjykatë belge ka zgjatur edhe për një muaj paraburgimin e një shtetaseje kanadeze me origjinë kineze, e dyshuar për spiunazh gjatë kohës që punonte si praktikante në selinë ushtarake të NATO-s në Mons.
Prokuroria Federale Publike e Belgjikës njoftoi se Dhoma e Akuzave vendosi ta zgjasë paraburgimin e të dyshuarës pasi shqyrtoi ankesën e saj kundër një vendimi të mëparshëm të dhomës së paraburgimit.
E dyshuara po mbahet në kuadër të një hetimi gjyqësor federal për akte të dyshuara spiunazhi.
Në muajin korrik, mediat belge raportuan se ajo u arrestua pasi tërhoqi vëmendjen e shërbimeve të sigurisë në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), selia ushtarake e NATO-s në Mons.
Prokuroria Federale Publike tha se hetimi lidhet me dyshimet për “spiunazh në favor të një vendi të tretë” dhe “pjesëmarrje në një organizatë kriminale”.
Natyra e saktë e akuzave dhe vendi që dyshohet se është i përfshirë nuk janë bërë të ditura.






















