Greqia renditet e fundit mes 24 vendeve të Bashkimit Evropian për kushtet energjetike të industrisë dhe besueshmërinë e rrjetit ndërsa kostot e larta të energjisë elektrike rëndojnë mbi investimet, raportoi sot gazeta greke "Kathimerini", duke iu referuar një studimi.
Gjetjet paraprake të një studimi mbi konkurrueshmërinë industriale, të realizuar nga Federata e Industrive Greke (SBE) dhe të prezantuara të enjten, identifikuan çmimet e larta të energjisë elektrike dhe varësinë e madhe nga importet energjetike si dobësi kryesore.
Greqia mori 4,31 pikë në kategorinë e kushteve energjetike dhe besueshmërisë së rrjetit, nën mesataren evropiane prej 6,26 pikësh. Vendi u rendit në vendin e 23-të për kostot e energjisë elektrike në industri dhe në vendin e fundit për përqindjen e bizneseve që i konsiderojnë kostot e energjisë pengesë për investimet. Plot 72 për qind e bizneseve i cilësuan këto shpenzime si pengesën kryesore për investime.
Greqia u rendit në vendin e 23-të si për diversifikimin e furnizimit me energji, ashtu edhe për varësinë nga importet.
Produktiviteti dhe sfidat rregullatore rëndojnë mbi konkurrueshmërinë
Produktiviteti dhe efikasiteti u identifikuan si një tjetër dobësi e rëndësishme, ku Greqia mori 2,84 pikë, kundrejt mesatares evropiane prej 4,33 pikësh. Vendi u rendit i fundit mes 24 shteteve për produktivitetin e përgjithshëm të faktorëve dhe intensitetin e investimeve në kapitalin fiks ndërsa zuri vendin e 23-të për stokun e kapitalit për punonjës.
Bizneset u përballën me sfida që lidhen me kuadrin rregullator. Greqia u rendit në vendin e 23-të për kohën e nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve civile dhe tregtare, në vendin e 20-të për marrjen e licencës së ushtrimit të aktivitetit dhe e fundit mes 17 vendeve për lehtësinë e qasjes në financim.
Kostot e ulëta të punës ofrojnë përparësi konkurruese
Megjithatë, studimi identifikoi kostot e ulëta të punës si përparësinë më të madhe konkurruese të Greqisë, duke e renditur vendin të parin në këtë kategori. Greqia u rendit e dyta mes 22 vendeve për përqindjen e bizneseve që kanë prezantuar produkte të reja ose të përmirësuara ndjeshëm si dhe e pesta për konkurrueshmërinë e çmimeve dhe cilësinë e produkteve.
Federata e Industrive Greke (SBE) bëri thirrje për uljen e kostove të energjisë, rritjen e investimeve prodhuese, thjeshtimin e rregullave për bizneset, modernizimin teknologjik dhe zhvillimin e aftësive profesionale.





















