| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Shefi i Forcave të Armatosura të Gjermanisë në vizitë zyrtare në Armatën e Maqedonisë së Veriut
Gjatë takimit mes shefave të dy ushtrive u rikonfirmua bashkëpunimi shumëvjeçar mes dy ushtrive, i cili realizohet përmes trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, zhvillimit të kapaciteteve dhe formave të tjera të bashkëpunimit ushtarak dypalësh.
Shefi i Forcave të Armatosura të Gjermanisë në vizitë zyrtare në Armatën e Maqedonisë së Veriut
Shefi i Forcave të Armatosura të Gjermanisë në vizitë zyrtare në Armatën e Maqedonisë së Veriut

Shefi i Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjenerali Carsten Breuer, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Armatën e Maqedonisë së Veriut, ku ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe çështjet aktuale të sigurisë rajonale e globale.

Delegacioni i Forcave të Armatosura gjermane, i kryesuar nga gjenerali Breuer, pas pritjes me nderime të larta ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës së Maqedonisë së Veriut, zhvilloi takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajorin Sashko Lafçiski.

Siç njofton Armata e Maqedonisë së Veriut, gjatë takimit u rikonfirmua bashkëpunimi shumëvjeçar mes dy ushtrive, i cili realizohet përmes trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, zhvillimit të kapaciteteve dhe formave të tjera të bashkëpunimit ushtarak dypalësh.

Në bisedimet zyrtare u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë rajonale dhe globale, sfidat e sigurisë në zonat e operacioneve të Aleancës, planet rajonale të NATO-s për Evropën Juglindore, pjesëmarrjen në misione dhe operacione ndërkombëtare si dhe procesin e modernizimit dhe pajisjes së Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Delegacionit gjerman iu prezantuan edhe kapacitetet e poligonit ushtarak “Krivollak”, i cili konsiderohet një nga poligonet më të rëndësishme të trajnimit në Evropën Juglindore.

Gjatë vizitës, gjenerali Breuer u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ku u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh në fushën e mbrojtjes, i ndërtuar mbi besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin e fortë për mbrojtjen kolektive.

Bashkëbiseduesit theksuan se të dyja vendet po punojnë në mënyrë aktive për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, i cili do të kontribuojë në përmirësimin e kapaciteteve mbrojtëse të Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Në deklaratën për medie, gjenerali Lafçiski tha se gjatë bisedimeve u konfirmua përkushtimi i përbashkët i aleatëve për mbrojtjen e çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. “Ne, aleatët, jemi të bashkuar rreth misionit tonë parësor, mbrojtjes së çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha Lafçiski.

Nga ana e tij, gjenerali Breuer theksoi se Gjermania gjithmonë e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe se pas pranimit në Aleancë partneriteti mes dy vendeve është thelluar më tej. Ai vlerësoi se Maqedonia e Veriut përfaqëson një faktor të rëndësishëm stabiliteti në Evropën Juglindore dhe se kontributi i saj në sigurinë rajonale dhe kolektive vlerësohet shumë nga Gjermania.

“Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë, ta forcojmë shtyllën evropiane të NATO-s përmes unitetit, zhvillimit të kapaciteteve, kontributit konkret ushtarak dhe bashkëpunimit të ngushtë mes aleatëve, partnerëve dhe miqve të besueshëm”, tha Breuer.

Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, gjenerali Breuer pritet të zhvillojë takime edhe me presidenten dhe komandanten supreme të Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe me kryeministrin Hristijan Mickoski.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë