| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria prezanton Qendrën e re të Komandës dhe të Kontrollit në kuadër të projektit “Smart City”
Projekti u bë i ditur sot nga ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, i cili deklaroi se me anë të përdorimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë synohet parandalimi dhe menaxhimi i rreziqeve në kohë reale.
Shqipëria prezanton Qendrën e re të Komandës dhe të Kontrollit në kuadër të projektit “Smart City”
Shqipëria prezanton Qendrën e re të Komandës dhe të Kontrollit në kuadër të projektit “Smart City”

Në Shqipëri u prezantua sot Qendra e re e Komandës dhe e Kontrollit, një nga komponentët kryesorë të projektit kombëtar “Smart City”.

Projekti u bë i ditur sot nga ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, i cili deklaroi se me anë të përdorimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë synohet parandalimi dhe menaxhimi i rreziqeve në kohë reale.

Sipas ministrit, “Smart City” nuk është vetëm një projekt kamerash, por një sistem i integruar teknologjik që synon ta ndryshojë mënyrën e garantimit të sigurisë publike.

Ministri informoi se ky sistem do të funksionojë mbi tre komponentë të integruar; burimet e informacionit të shpërndara në territor, platforma e centralizuar e komandës dhe kontrollit dhe inteligjenca artificiale, e cila analizon në kohë reale të dhënat e mbledhura. 

Lamallari tha sistemi do të përpunojë informacione nga 873 lokacione operative, të shpërndara në 24 qytete, 12 Drejtori Vendore të Policisë, 28 pika të kalimit kufitar dhe 20 shkolla në Tiranë.

Për autoritetin inteligjenca artificiale do të identifikojë sjellje potencialisht të rrezikshme ose shkelje të ligjit dhe do të gjenerojë alarme në kohë reale.

Alarmi do t’i dërgohet menjëherë patrullës më të afërt, me qëllim ndërhyrjen më të shpejtë dhe parandalimin e incidenteve.

Faza e parë e projektit do të nisë në 20 prej shkollave më të frekuentuara të Tiranës, me fokus rritjen e sigurisë së nxënësve dhe reagimin ndaj rreziqeve të mundshme.

“Nuk është e rastësishme që këtë projekt, i cili është me plot kuptimin e fjalës një kapërcim epokal në garantimin e sigurisë në Shqipëri, e nisim me 20 shkollat më të frekuentuara të kryeqytetit. Siguria e një vendi nuk matet vetëm me statistikat e luftës kundër krimit, por edhe me aftësinë reale për të mbrojtur fëmijët tanë”, tha ministri.

Ndërkaq, ai u shpreh se sistemi është projektuar të evidentojë, analizojë dhe paralajmërojë në kohë reale, duke mundësuar një reagim proaktiv dhe parandalues.

Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përfaqësues të institucioneve, partnerë dhe të ftuar.

BURIMI:ATSH