Sipas një vlerësimi të Institutit të Sigurisë së Inteligjencës Artificiale për të Rinjtë të ‘Common Sense Media’, ChatGPT-ja për Adoleshentët i korporatës OpenAI paraqet një “rrezik të papranueshëm” për fëmijët, pavarësisht masave të sigurisë të prezantuara së fundmi, transmeton Anadolu.
Organizata i bëri thirrje OpenAI-së që ta kufizojë përdorimin e ChatGPT-së për personat 18 vjeç e lart, derisa të adresojë mangësitë e identifikuara nga studiuesit lidhur me njoftimet për prindërit, reagimet ndaj krizave, mbrojtjen në mësim dhe vlerësimin e moshës.
Studiuesit testuan më shumë se 4.000 kërkesa në llogari të regjistruara për përdorues të moshës 13 deri në 17 vjeç dhe përgjigjet u shqyrtuan nga ekspertë, përfshirë psikiatër fëmijësh dhe një pediatër.
Instituti tha se llogaritë e krijuara rishtazi dhe të lidhura me prindërit nuk gjeneruan asnjë njoftim edhe kur testuesit kaluan deri në një orë duke diskutuar për mendime vetëvrasëse, vetëlëndim ose çrregullime të të ushqyerit.
“ChatGPT-ja për Adoleshentët mund t’u japë prindërve një ndjenjë të rreme sigurie lidhur me masat mbrojtëse dhe njoftimet e sigurisë, të cilat shpesh nuk funksionojnë”, tha Tom Siegel, drejtor ekzekutiv i institutit.
OpenAI-ja e kundërshtoi vlerësimin, duke deklaruar se pjesa më e madhe e testimit mund të jetë kryer përpara aktivizimit të plotë të kontrolleve prindërore dhe për këtë arsye nuk pasqyron me saktësi mënyrën se si funksionojnë në praktikë masat e sigurisë për adoleshentët.
Instituti tha se kishte konfirmuar me OpenAI-në përpara testimit se funksionet e Modalitetit për Adoleshentë ishin lançuar plotësisht dhe se qëndron pas gjetjeve të tij.























