Në parkun Stojcevac të Sarajevës është zhvilluar aktiviteti “Fluturimi drejt lirisë”, gjatë të cilit pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për fëmijët palestinezë përmes lëshimit të balonave fluturues dhe organizimit të një punëtorie krijuese për fëmijë.
Tubimin e organizoi grupi i aktivistëve “BosniaforPalestine”, me qëllim që, përmes lojës dhe lëshimit të balonave fluturues, të rikujtojë se çdo fëmijë meriton një fëmijëri pa brenga, liri dhe një qiell pa frikë.
Aktiviteti u organizua pas paralajmërimeve të fundit drejtuar fëmijëve në Gaza që të mos lëshojnë balona fluturues për shkak të kërcënimeve për sulme izraelite.
Përmes lëshimit të balonave, pjesëmarrësit dëshironin të përcillnin një mesazh solidariteti me fëmijët palestinezë.
Fëmijët lëshuan balona fluturues me ngjyrat e flamurit palestinez dhe me shalqinj, të cilët janë bërë simbol i rezistencës palestineze.
Në kuadër të programit u organizua edhe një punëtori krijuese për fëmijë, ndërsa organizatorët siguruan balonat fluturues, pajisjet e nevojshme, drekën dhe pijet.
Me mesazhin se fëmijëria nuk është privilegj, por e drejtë e çdo fëmije, kjo nismë theksoi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtën e tyre për t’u rritur në siguri dhe pa brenga.























