| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Trumpi njofton “operacionin ekonomik dërrmues” kundër Iranit
Presidenti amerikan paralajmëron se çdo vend që lejon institucionet financiare ose bizneset e tij t’i ofrojnë Iranit “çfarëdo lloj ndihme jetike” do të përballet me pasoja “të jashtëzakonshme” ekonomike.
Trumpi njofton “operacionin ekonomik dërrmues” kundër Iranit
Trumpi njofton “operacionin ekonomik dërrmues” kundër Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të mërkurën “operacionin ekonomik më dërrmues të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi”, duke përshkallëzuar fushatën e tij për izolimin e Iranit dhe duke paralajmëruar me pasoja të rënda ekonomike vendet dhe kompanitë që ndihmojnë Teheranin.

“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit një mundësi më të madhe se unë për të arritur një marrëveshje. Tragjikisht për ta, ata nuk arritën ta shfrytëzonin. Prandaj, sot po njoftoj operacionin ekonomik më dërrmues të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi! Kjo do të jetë luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë”, shkroi Trumpi në platformën Truth Social.

Ai tha se ShBA-ja do të synojë ndërprerjen e kanaleve financiare dhe tregtare që i ofrojnë Iranit mbështetje ekonomike.

“Sot po njoftoj gjithashtu se çdo vend që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare t’i ofrojnë Iranit çfarëdo lloj ndihme jetike, do të përballet vetë me pasoja të jashtëzakonshme ekonomike”, shtoi ai.

Trumpi përmendi në mënyrë specifike kontrabandën e naftës, linjat e këmbimit financiar, transfertat e parave, zyrat e këmbimit valutor, regjistrat e anijeve dhe kompanitë fasadë si aktivitete që duhet të marrin fund.

“E gjithë kjo duhet të ndalet tani”, tha ai.

Presidenti pretendoi gjithashtu se kapacitetet ushtarake të Iranit ishin dobësuar rëndë, duke thënë: “Forcat e tyre detare nuk ekzistojnë më, forcat e tyre ajrore janë shkatërruar dhe fabrikat e tyre ushtarake tashmë janë kthyer në rrënoja.”

Ai e përshkroi monedhën iraniane si “të pavlerë” dhe tha se vendi “mbahet në fije të perit”.

Trumpi e quajti fushatën një “D-Day ekonomik” dhe u bëri thirrje aleatëve amerikanë t’i bashkohen Uashingtonit në izolimin e Iranit.

“Na duhet që të gjithë aleatët tanë të qëndrojnë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta izoluar dhe mposhtur kërcënimin iranian”, tha ai.

Presidenti e përfundoi deklaratën duke përsëritur qëndrimin e kahershëm të administratës së tij për programin bërthamor të Iranit.

“Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”, tha ai.

Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim e përshkroi kërcënimin e fundit të Trumpit si një version të ri të fushatës së “dështuar” të presionit maksimal.

“Donald Trump, i cili gjatë gjithë presidencës së tij ka ndjekur një politikë të ‘presionit maksimal’ kundër Iranit dhe, pas dështimit të kësaj politike, iu drejtua kërcënimeve ushtarake, i është rikthyer sërish taktikës së ‘luftës ekonomike’, duke pretenduar se po shpall një ‘luftë ekonomike’ kundër Iranit”, thuhet në reagim.

Agjencia argumentoi se ShBA-ja kishte kaluar tashmë vite duke u përpjekur të kufizonte lidhjet financiare dhe tregtare të Iranit me botën e jashtme.

“Irani ka mësuar t’i anashkalojë këto kufizime dhe është bërë i aftë për ta bërë këtë”, shkroi agjencia Tasnim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë