| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Trageti përfshihet nga flakët pranë ishullit Java të Indonezisë, evakuohen 460 persona
Me 420 pasagjerë dhe 40 anëtarë të ekuipazhit, trageti "KMP Batumandi" mori flakë pranë ishullit Merak Besar në provincën Banten.
Trageti përfshihet nga flakët pranë ishullit Java të Indonezisë, evakuohen 460 persona
Trageti përfshihet nga flakët pranë ishullit Java të Indonezisë, evakuohen 460 persona/ AA

Gjithsej 460 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të një trageti pasagjerësh u evakuuan në një operacion shpëtimi prej disa orësh pasi trageti u përfshi nga zjarri në ishullin Java të Indonezisë të martën, njoftuan mediat lokale.

Me 420 pasagjerë dhe 40 anëtarë të ekuipazhit, trageti "KMP Batumandi" mori flakë pranë ishullit Merak Besar në provincën Banten, raportoi e përditshmja lokale në gjuhën angleze "Jakarta Globe", duke cituar zyrtarët e shpëtimit.

Për operacionin e evakuimit dhe shuarjes së zjarrit u mobilizuan gjithsej 18 anije dhe njësi mbështetëse, duke përfshirë anije shpëtimi, rimorkiatorë, anije patrullimi dhe anije peshkimi.

Pamjet e transmetuara treguan tym të zi të dendur që dilte nga anija dhe pasagjerët në panik që përpiqeshin për siguri. Shkaku i zjarrit nuk është bërë i ditur menjëherë.

Merak është një port i madh tragetesh që lidh ishujt Java dhe Sumatra përmes ngushticës Sunda, një nga rrugët më të ngarkuara të trageteve të Indonezisë.

Indonezia, një vend me më shumë se 17 mijë ishuj, ka një histori të gjatë aksidentesh detare.

Më shumë se 80 persona humbën jetën kur një traget u përmbys në Detin Java muajin e kaluar.