Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Qeveria e Shqipërisë do të mbulojë 50 për qind të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara, në kuadër të projektligjit për strehimin social të përballueshëm.
Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, ndërkohë ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së financimit për politikat e punësimit të të rinjve dhe krijimit të mundësive për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional.
“Ne do t'i adresojmë problemet duke i nxjerrë një për një detyrat. Është një ligj i ri që adreson edhe problematikën e studentëve dhe e adreson problematikën e studentëve sepse që në programin e qeverisë dhe pastaj një muaj e kusur më parë ne materializuam këtë draft duke krijuar një qasje krejt të re në raport me rritjen e çmimeve dhe me pamundësinë e studentëve për të paguar, pa ju marrë tërësisht frymën prindërve, qiratë në Tiranë. Kështu që qeveria do të futet për të paguar 50 për qind të qerasë për të gjithë ata studentë të cilët i plotësojnë kushtet që janë të lidhura natyrisht me kriteret dhe studimet”, tha Rama.
Ai shtoi se projektligji parashikon edhe instrumente të tjera financiare për strehimin, përfshirë kredi me interes zero për çiftet e reja që synojnë të blejnë një apartament deri në një vlerë të caktuar.
Takimi vjen në mes të protestave në Tiranë të thirrura nga studentët dhe të mbështetura nga pedagogë, nxënës dhe qytetarë. Gjatë protestave të fundit u dëmtuan edhe disa seli dhe bankomate të bankave të nivelit të dytë në Tiranë.
Disa nga problematikat me të cilat studentët kanë pretenduar se përballen lidhen me kushtet në arsim, investimet e pamjaftueshme, kostot e larta të qirave dhe mungesën e konvikteve.




















