Qeveria e Izraelit ka miratuar mbi 1 miliard shekelë (334 milionë dollarë) për t’i ndërtuar dhe për t’i përmirësuar rrugët që lidhin vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan mediat izraelite.
Kanali 7 i Izraelit raportoi sot se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu miratoi fondet për financimin e rrugëve të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese që lidh dhjetëra vendbanime të paligjshme të autorizuara nga Kabineti i Sigurisë gjatë luftës.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë, Sionizmi Fetar, e përshkroi vendimin si "historik". Ai tha se financimi do ta lehtësonte krijimin e dhjetëra vendbanimeve të paligjshme në "lokacione strategjike" në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.
Smotrich shtoi se plani shumëvjeçar përfshin planifikimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja, zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese të transportit, lidhje më të forta ndërmjet vendbanimeve ilegale dhe masa shtesë sigurie.
OKB-ja e konsideron Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, si territor të pushtuar palestinez dhe pohon se vendbanimet izraelite atje janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Që nga 8 tetori 2023, Izraeli ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës duke vrarë mbi 73 mijë palestinezë dhe plagosur mbi 173 mijë të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë





















