| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti: Kosovës do të duhej t'i jepej stausi kandidat për anëtarësim në BE pa vonesa të mëtejme
Kurti tha se mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i aktorëve destabilizues rajonal dhe më gjerë.
Kurti: Kosovës do të duhej t'i jepej stausi kandidat për anëtarësim në BE pa vonesa të mëtejme
Kurti: Kosovës do të duhej t'i jepej stausi kandidat për anëtarësim në BE pa vonesa të mëtejme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosovës do të duhej t'i jepej statusi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), pa vonesa të mëtejme.

Kurti i cili mori pjesë në drekën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor, tha se statusi i shtetit kandidat në BE është i merituar për Kosvoën.

"Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim", shkroi Kurti në rrjetet sociale pas takimit në Nju Jork.

Ai tha se mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa Kosova është tërësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ka shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë.

"Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë", theksoi kryeministri Kurti.

Ai shtoi se Serbia i mohon dhe i fsheh krimet si dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e së vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke e pamundësuar drejtësinë, ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë