Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj mbërriti të mërkurën në Kirgistan për vizitën e parë zyrtare të një kreu shteti shqiptar në këtë vend, duke shënuar një moment historik në marrëdhëniet dypalëshe.
Presidenca e Kirgistanit bëri të ditur se Begaj ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar Issyk-Kul me ftesë të presidentit Sadyr Japarov.
“Vizita përfshin bisedime mes liderëve Sadyr Japarov dhe Bajram Begaj, si dhe aktivitete kulturore”, thuhet në deklaratë.
Vizita treditore e Begajt ishte njoftuar një ditë më parë nga presidenca, e cila bëri të ditur se dy presidentët do të zhvillojnë bisedime në qytetin turistik Çolpon-Ata.
Sipas njoftimit, pritet që në takim të diskutohen bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha si ekonomia, bujqësia, turizmi, transporti dhe digjitalizimi.
“Duhet theksuar se vizita zyrtare e Presidentit të Shqipërisë është e para në historinë e marrëdhënieve Kirgistan–Shqipëri dhe do të krijojë bazën për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit”, thuhet më tej.
Begaj ka mbërritur në Kirgistin pas përfundimit të një vizite dyditore në Uzbekistan, e cila gjithashtu ishte vizita e parë e një presidenti shqiptar që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.




















