| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Kanadaja bën thirrje për diversifikim global të energjisë pas krizës në Ngushticën e Hormuzit
Carney tha se nuk ka diversifikim të mjaftueshëm në atë rajon dhe se Kanadaja ka mundësi të ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim.
Kanadaja bën thirrje për diversifikim global të energjisë pas krizës në Ngushticën e Hormuzit
Kanadaja bën thirrje për diversifikim global të energjisë pas krizës në Ngushticën e Hormuzit / AA

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney ka theksuar nevojën për diversifikimin e energjisë dhe tregtisë, duke përmendur ndikimin e rëndë global të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

“Një nga mësimet kryesore është diversifikimi”, u tha Carney gazetarëve gjatë një konference për media në Evian të Francës, nën margjinat e Samitit të Liderëve të G7-tës. Ai theksoi se kjo pikë strategjike e rëndësishme në Lindjen e Mesme ka patur ndikim të drejtpërdrejtë negativ në koston e jetesës, përfshirë rritjen e çmimeve të karburanteve për qytetarët kanadezë.

Carney tha se nuk ka diversifikim të mjaftueshëm në atë rajon dhe se Kanadaja ka mundësi të ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim. Ai detajoi angazhimin e Kanadasë për stabilizimin e tregjeve duke zgjeruar praninë e saj energjetike. Sipas tij, vendi synon të prodhojë 150 megatonë gaz natyror të lëngshëm (LNG) deri në fund të vitit, me qëllim për të përmbushur kërkesën në rritje nga partnerët evropianë.

Ai theksoi ekzistencën e marrëveshjeve për furnizimin me LNG me Gjermaninë dhe shtoi se marrëveshje të tjera me vende evropiane janë duke u finalizuar. Përveç kësaj, Otava po përqendrohet në zgjerimin e tubacionit të naftës Trans Mountain (TMX) dhe në mundësinë e krijimit të rrugëve të reja drejt ShBA-së për të siguruar rrjete më të gjera të shpërndarjes.

- Tregtia me Indinë dhe Kinën

Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe tregtare, Carney konfirmoi se Kanadaja po bën “përparim të konsiderueshëm” drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse tregtare me Indinë, pas takimit të tij me kryeministrin Narendra Modi.

Ai theksoi se fondet kanadeze të pensioneve dhe bizneset kanë investuar tashmë 100 miliardë dollarë në Indi, duke e bërë Marrëveshjen për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja (FIPA) një prioritet për rritjen e ardhshme. “Synimi ynë është që këto marrëveshje të përfundojnë deri në samitin e G20-tës këtë vit, i cili mbahet në nëntor”, tha Carney.

Sa i përket Kinës, Carney tha se ka diskutuar me presidentin amerikan, Donald Trump, kornizën e re tarifore të Kanadasë për automjetet elektrike kineze.

Kryeministri kanadez shpjegoi se politika përfshin një kufi maksimal prej 49 mijë njësish, me kushtin që gjysma e kësaj kuote të jetë e rezervuar për automjete me çmim prej 35 mijë dollarësh ose më pak. Sipas tij, presidentit amerikan i “pëlqen struktura” e kësaj marrëveshjeje.

- Ndryshimet diplomatike dhe konfliktet rajonale

Më tej, kryeministri kanadez e cilësoi marrëveshjen e sapo arritur të paqes me Iranin si një “faktor që mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve”, duke theksuar se ajo mund të ndikojë në zhvillimin e konflikteve në Ukrainë dhe Liban.

Carney sqaroi se “nuk ka para kanadeze” të përfshira në fondin e raportuar prej 300 miliardë dollarësh për rindërtim.

“Ajo që nevojitet në çdo marrëveshje të tillë është prania e palëve që ndihmojnë në zbatimin e saj, palëve të treta që mbështesin procesin dhe mbikëqyrësve që e monitorojnë atë”, tha ai duke shtuar se Otava është e gatshme “të ndihmojë nëse kjo konsiderohet e përshtatshme".


BURIMI:aa