| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Shpërthim në një treg në Pakistan, nëntë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur
Midis të vdekurve janë edhe dy punonjës policie, ndërkohë autoritetet ende nuk kanë konfirmuar natyrën e shpërthimit.
Shpërthim në një treg në Pakistan, nëntë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur
Shpërthim në një treg në Pakistan, 9 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur / AA

Të paktën nëntë persona humbën jetën dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi të martën në një treg në provincën Khyber Pakhtunkhwa në veriperëndim të Pakistanit, tha për Anadolu një zyrtar i administratës lokale.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, bëri të ditur se shpërthimi ndodhi në qytetin Sarai Naurang, në rrethin Lakki Marwat.

“Tani për tani ndodhem në spital dhe deri më tani këtu janë sjellë nëntë trupa. Të paktën 22 persona të lënduar po marrin trajtim mjekësor,” shtoi ai.

Midis të vdekurve janë edhe dy punonjës policie, tha zyrtari, duke shtuar se autoritetet ende nuk kanë konfirmuar natyrën e shpërthimit.

Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Forcat e sigurisë rrethuan zonën dhe nisën një hetim mbi shpërthimin, ndërkohë që ekipet e shpëtimit kanë vazhduar dërgimin e të plagosurve në spitalet e afërta.

Rajonet veriperëndimore të Pakistanit kanë dëshmuar një rritje të sulmeve militante në vitet e fundit, duke shënjestruar veçanërisht forcat e sigurisë dhe civilët.

Islamabadi ka akuzuar vazhdimisht grupin Tehreek-i-Taliban Pakistan (TTP) për operimin nga strehët e sigurta në Afganistanin fqinj.

Kabuli, megjithatë, i ka mohuar akuzat duke thënë se grupi nuk ka prani në tokën afgane.